Sport

Barcelona ia “qerasi” katër “copa” Realit

Barcelona si në kohët e arta, e shpartallon Realin midis Bernabeut
Xavi Hernandez rikthen Barcelonën e magjishme, atë Barcelonë që shënon, dëfren dhe fiton me prepotencë ndaj ekipeve më të forta. “Blaugranat” shkatërruan 0-4 Realin e Madridit në “El Clasico”, duke të kujtuar atë skuadër mahnitëse me Xavin, Iniestën e Messin në fushë. Pa Karim Benzemanë, që mungonte për arsye dëmtimi, “Los Blancos” ishin tjetër skuadër në fushë, pa atë forcë goditëse dhe mbi të gjitha pa mentalitetin e duhur për të përballuar sfidat e mëdha.

Që në minutat e para Barcelona u shfaq shumë e rrezikshme, me qarkullim të dendur dhe të saktë të topit, por Ferran Torresit i mungoi saktësia. Reali u kundërpërgjigj me Valverden dhe Vinicius, por ter Stegen ishte në ditën e tij më të mirë.

Takimi u zhbllokua në minutën e 29-të nga Aubaeyang, që u shërbye saktë nga Dembele. Vetëm nëntë minuta më vonë sërish Dembele nga djathta krosoi saktë në qendër për Araujon, që “nguli” topin në rrjetë me kokë, 0-2.

Barcelona ishte padrone e fushës, e ndihmuar edhe nga çlirimi psikologjik. Sapo nisi pjesa e dytë FerranTorres shënoi të tretin pas një kombinimi perfekt me Aubameyang, ndërsa gjashtë minuta më vonë Ferran i ktheu “borxhin” me asistimin për golin e 0-4. Në minutat e mbetura loja ishte e hapur, por “blaugranat” nuk i shfrytëzuan si duhet hapësirat e krijuara për të fitore më të thellë.

Barcelona me këtë sukses shkon në kuotën e 54 pikëve, në vendin e tretë, me 12 pikë më pak se Reali, por diferenca do të bëhej nëntë pikë nëse “blaugranat” fitojnë edhe ndeshjen e prapambetur. Gjithsesi, nuk mund të thuhet ende se gara për titullin e La Ligas është rihapur.