September 16, 2024
Rajon - Botë

Çeku: Serbia, mosdurim në Luginë të Preshevës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrullah Çeku, ka akuzuar Serbinë që sipas tij ka shfaqur ‘mosdurim nacional’, kur institucionet serbe ndaluan shfaqjen e dy filmave shqiptarë, të financuar nga Qeveria e Kosovës. Ministri Çeku tha se veprimi i autoriteteve serbe për të ndaluar shfaqjen është i “paprecedent dhe i papranueshëm”. “Një ditë para shfaqjes së filmave, policia e Serbisë i merr në bisedë informative drejtorin e Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, producentin dhe aktorët e filmave. Pa asnjë motiv konkret, e madje duke e paragjykuar përmbajtjen e filmave, autoritetet serbe ndalojnë shfaqjen e filmave deri në një vendim të radhës”, ka shkruar ministri Çeku duke shtuar se “ky akt më e pakta që mund të emërohet, është mosdurim nacional”. Më datë 9 qershor, Policia e Serbisë në Bujanoc, ka shoqëruar në stacion policor drejtorin e Shtëpisë së Kulturës, Jetmir Ismaili, si dhe ka intervistuar aktorin Gani Veseli. Me vendim të autoriteteve serbe filmat nuk do të mund të shfaqën deri në përfundim të hetimeve. Në Luginë të Preshevës ka pasur reagime të shumta pas ndalimit të shfaqjes së këtyre dy filmave.