Çavi Hernandez pas rekordit të Hoze Murinjos dhe Çellsit
Me tetë ndeshje të mbetura në kalendar, duket e vështirë që skuadra e trajnerit Çavi Hernandez të “rrëshkasë” dhe të “hedhë në erë” sezonin. Në këtë kampionat, katalanasit kanë dominuar dhe përveç titullit, kanë luksin që në javët e mbetura të kthejnë vëmendjen edhe nga rekordet që mund të mbërrijnë. Një i tillë është edhe ai i golave të pësuar.
Reparti defensiv ka rezultuar hermetik dhe në 30 ndeshje të kampionatit, blaugranat kanë pësuar vetëm nëntë gola duke u konfirmuar si mbrojtja më e mirë në katër kampionatet kryesorë të Europës. Barça ia ka dalë me sukses që nga 30 ndeshje të LaLigas, 23 prej tyre t’i mbyllë pa pësuar gol. Tashmë, në tetë javët e mbetura, objektivi i Ter Stegen me shokë është të mos pësojnë më shumë se gjashtë gola për t’u konfirmuar si mbrojtja më e mirë në histori.
Nëse ia dalin me sukses, atëherë Çavi dhe të besuarit e tij do të thyenin rekordin e Hoze Murinjos me Çellsin. Në sezonin 2004/05, londinezët nën drejtimin e luzitanit pësuan vetëm 15 gola dhe ende sot e kësaj dite mbajnë rekordin historik. Por, Barça është shumë pranë vendosjes së një rekordi të ri dhe duke parë se skuadra e Xavit pëson mesatarisht një gol për tre ndeshje, i ka të gjitha shanset për t’ia dalë.