Kosovë

“Burdushi” dënohet me 4.5 vjet burgim dhe 42 mijë euro gjobë

Gjykata Themelore në Prishtinë, të martën ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Hysri Peqanit, i njohur si “Burdushi”, lidhur me akuzën për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, shpëlarje parash dhe armëmbajtje pa leje, duke e dënuar me dënim unik prej 4 vjet e 6 muaj burgim dhe 42 mijë euro gjobë.

Sipas aktakuzës, prej kohës së pavërtetuar e së paku nga koha e regjistrimit të biznesit privat ordinanca “Burdushi”, me aktivitetin primar, aktivitetet e tjera të shëndetit të njeriut, më 15 qershor 2005 e deri më 26 korrik 2019, në Prizren, i akuzuari Hysri Peqani-Burdushi, ka mjekuar persona të ndryshëm anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore.

Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, e ka bërë ndonëse nuk kishte kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse.

Sipas Prokurorisë, Peqani e kishte bërë një gjë të tillë me qëllim të përfitimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme.

Në aktakuzë thuhet se i njëjti, të dëmtuarve iu ka kryer trajtime të improvizuara, të kota duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t’i paguajnë shuma të ndryshme të parave nga 20 euro deri në më shumë se 3 mijë euro, ashtu që kjo vepër penale e vazhduar ka rezultuar me dobi pasurore të kundërligjshme prej rreth 1 milion euro.

Prokuroria pretendonte se “Burdushi”, me qëllim të fshehjes së pasurisë së fituar përmes aktiviteteve kriminale, duke filluar nga viti 2006, paratë e tilla i ka futur në sistem bankar me arsyetimin se kështu i paguan këstet e kredive e më pas e ka kryer fshehjen e tyre përmes transferove bankare , ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.

Për këto veprime, ai akuzohej për veprën penale të “Shpëlarjes së parave” nga neni 302 të KPRK-së lidhur me nenin 32, paragrafi 1 dhe 2, nënparagrafi 2.1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit. /BetimipërDrejtësi