Bullgaria po i kthen turistët nga Maqedonia, ofron pushime luksoze me çmime të pranueshme
Gjatë viteve të fundit Bullgaria i vuri vetes si qëllim bazë të avancojë në sferën e turizmit me modelin e afirmuar – gjatë verës në det, gjatë dimrit në ski, por njëkohësisht të jetë destinacion i dallueshëm turistik gjatë gjithë vitit. Në këtë mënyrë do të shfrytëzohen në maksimum pasuritë natyrore, arkitekturore dhe historike të cilat i posedon ky vend që mëton turizmin ta shndërrojë në një degë të qëndrueshme zhvillimore.
Në sukseset që ka shënuar ky koncept, i cili duhet të finalizohet në vitin 2030, patëm mundësinë të bindemi gjatë vizitës së realizuar me ftesë të Ministrisë bullgare të turizmit në disa nga pikat e dalluara tursitike.
Rruga nga Maqedonia deri në bregdetin bullgar (rrugë që zakonisht e shfrytëzojnë edhe turistët nga Kosova dhe Shqipëria), kalon simetralisht mes për mes vendit. Nëse udhëtoni me veturë, kjo jep mundësinë që gjatë udhëtimit për në bregdet, ose gjatë kthimit në shtëpi, të kombinoni përvoja të ndryshme turistike.
Sepse përveç turizmit bregdetar dhe atij malor, Bullgaria dekadat e fundit ka investuar shumë në ndërtimin e kapaciteteve shëruese me ujëra termale, ose i njohur si “spa turizëm”, që tërheqin vizitorë gjtë tërë vitit. Një kapacitet i tillë në zë, është i vendosur në Starosel (Fshati i Vjetër). Bëhet fjalë për kompleks në zemër të Thrakisë, i ndërtuar në stil tradicional arkitekturor, por që ofron standardet më bashkëkohore të shërbimit. Gjendet më pak se 50 kilometra larg Pllovdivit, kështu që nuk keni nevojë të devijoni shumë rrugën, për të vizituar këtë qendër të njohur për pishinat me ujëra termalë dhe me veti të larta shëruese. Thjesht është një vend ku meriton të kaloni dy-tre ditë për “pushim” nga pushimi në bregdet, por edhe vend mjaft i përshtatshëm për pushime edhe jashtë stinës së verës.
Plovdivi është një storje në vete, si qendër kulturore e Bullgarisë, që në vitin 2019 ishte shpallur edhe Qytet i Kulturës në Evropë. Kjo për shkak se qyteti i dytë më i madh në Bullgari, është njëkohësisht një ndër vendbanimet më të lashta në Evropë dhe botë.
Për këtë arsye, në çdo hap vëreni gjurmë nga monumente të vjetra historike që nga koha e trakëve e romakëve, te koha e Bizantit, e deri në kohën e Perëndorisë Osmane.
Qyteti i Vjetër në Plovdiv është atraksion që mahnit me shtëpitë pitoreske, të ndërtuara në fund të shekullit 19 dhe fillim të shekullit 20. Ato janë të banueshme edhe sot e kësaj dite. Pronarët që kanë prejardhje të ndryshme- bullgare, turke, hebreje, armene, i trashëgojnë këto shtëpi gjeneratë pas gjenerate.
Kuptohet në këtë pjesë të qytetit janë të koncentruara edhe monumentet më të rëndësishme si Amfiteatri Romak, Kisha dhe Manastire ortodokse nga periudha të ndryshme historike, Sinagoga Sefardike, Kisha Katolike, si dhe Xhamia e Xhumasë që daton nga shekulli 14 dhe që konsiderohet xhamia më e vjetër në Evropë jashtë Spanjës.
Pasi të lëshoni Plovdivin, deri në bregdet ju kanë mbetur pak më shumë se dy orë rrugë.
Atje mund të gjeni akomodim në komplekse grandioze hotelerike, siç është Sun Set Hotel Pomorie. Bëhet fjalë për një model të kombinuar që ofron akomodim hotilerik me paketa All Inclusive dhe Ultra All Inclusive, por edhe akomodim në banesa.
Si në çdo vend tjetër edhe në Bullgari çmimet kanë shënuar rritje, mirëpo pushimet luksoze në këtë vend mbeten edhe më tej të kapshme thuajse për çdo turist.
Gjatë kohë bregdeti bullgar ka qenë ndër pikat më të preferuara për qytetarët e Maqedonisë së Veriut për pushime verore, në të njëjtin rang me Shqipërinë, Greqinë dhe Turqinë. Prej turistëve të huaj, tani primatin e kanë turistët nga Gjermania, Anglia dhe nga vende të Evropës Qendrore.
Por punëtorët turistikë po bëjnë përpjekje sërisht për të rikthyer turistët nga vendi ynë.
“Vendosja e një linje ajrore Shkup-Burgas, së paku gjatë muajve të verës mendoj se do të ishte hap i vërtetë”, thotë Dimitar Germanov, kryetar i komunës Primorsko, që në Bullgari mbajnë titullin “kmet”. Deri para disa viteve Primorsko ka qenë fshat, por tani është komunë moderne me 5 vendbanime tjera, që posedon kapacitete të mëdha turistike. Edhe pse ka vetëm 7 mijë banorë, gjatë muajve të verës numri dhjetëfishohet, sqaron kryetari Germanov. Buxheti vjetor i komunës është 14.5 milionë euro, pa i llogaritur të ardhurat nga projektet e BE-së.
“Ne radhitemi në mesin e komunave të pasura në Bullgari”, thekson kryekomunari Germanov. Qytetet në bregdetin bullgar janë të radhitur afër njëri tjetrit, kështu që shumë lehtë mund të vizitoni edhe qytete tjera, si Nesebar dhe Suzopol, vendbanime që datojnë nga periudha helene.
E nëse preferoni eksplorimin, afër e keni malin Stranxha. Është mali më i pa eksploruar në Bullgari dhe paraqet një thesar të bukurisë natyrore dhe gjurmëve të lashtësisë, kurse nga ekspertët evropianë është shpallur si zonë e pandotur ekologjike.
Dhe duke qenë se rajoni ndodhet shumë afër bregut, mund të kombinoni pushimet tuaja në det me eksplorimin e thellësive të malit.
“Sivjet që shumë herët, mbase për shkak të fundit të pandemisë, njerëzit filluan të kërkojnë natyrën, pyllin, të kërkojnë vende dhe rajone të qeta të populluara, si ky i yni. Dhe interesi është i rritur mjaftë, prandaj mendojmë se, stina verore do të jetë mjaft e mirë”, thonë nga Shoqata “Rafaello” që po meret me zhvillimin e turizmit në këtë zonë.
Objektet më të bukura dhe me një akses më të madh mund të vizitohen brenda një dite nga plazhi. Ndër to, për shembull, është zona Mishkova niva në 3 kilometra largnga Mallko Tërnovo, deri në të cilin ka një rrugë të asfaltuar.
Por, ka dhe vende, të heshtura dhe mistike, të fshehura thellë në gjirin e Stranxhës.Ato mund të arrihen pas 3-4 kilometra ecjenë këmbë, nëpër shtigje të ngushta me hije.