September 19, 2024
Maqedoni

Bujar Osmani në Studeniçan: Të ardhmen planifikoni këtu, jo jashtë vendit

Karvani i Frontit Evropian i udhëhequr nga kandidati për president të vendit, Bujar Osmani, gjatë ditës së djeshme ka qëndruar në komunën e Studeniçanit, në vendbanimet Batincë, Moranë dhe Koliçan, ku ka takuar qytetarët e kësaj ane.

“Më vjen mirë që të gjitha komunitetet u bashkuan. Jam krenar që brezi im e mirëpriti këtë Front të madh të të gjitha komuniteteve. Çështja tjetër mund t’ju duket e largët, por besoni se nuk ka rrugë tjetër për standard më të mirë se anëtarësimi në BE”, tha Osmani.

Para banorëve të komunës së Studeniçanit, Osmani kërkoi mbështetjen e tyre për të vazhduar misionin që kishte për anëtarësimin e vendit në BE.

“Me përulësinë më të madhe, si njeriu juaj, si një person që ka përshkuar këto rrugë, kërkoj mbështetjen tuaj që unë në rolin e presidentit të vazhdoj atë që kam nisur si ministër i Jashtëm, si zëvendëskryeministër. dmth deri në vitin 2030 secili prej jush të ketë pasaportë evropiane, të ketë jetë evropiane dhe fëmijët tuaj ta planifikojnë të ardhmen e tyre këtu dhe jo jashtë”, ka përfunduar Osmani.