Bujar Osmani mund të bëhet “kurban” i zënkave brenda BDI-së
Emri i ministrit të jashtëm, Bujar Osmani, është propozuar nga integristët si zyrtari që mund të largohet nga Qeveria, me qëllim që, siç mëson TV21, në vend të tij të vijë një figurë që do të propozohej nga i ashtuquajturi “grupi i zjarrit” – të pakënaqurit brenda BDI-së të cilët dje në adresë të kryetarit Ali Ahmeti dërguan kërkesë për ndryshime.
Ky propozim, që duket të jetë një përpjekje për të ulur tensionet brendapartiake, deri tek “grupit të zjarrit” është dërguar përmes një ndërmjetësuesi, që është ministër aktual, por TV21 mëson se të pakënaqurit e BDI-së, kryesisht dega Çair dhe Saraj, nuk e kanë pranuar këtë ide me arsyetimin se qëllimi nuk është vetëm ndryshimi i Bujar Osmanit, por i Artan Grubit dhe ministrave të tjerë, gjëra që në fakt dje i kishin shkruar edhe në letrën e tyre.
Në letrën me pakënaqësi dhe kërkesa, e cila në fund mbante nënshkrimin e Izet Mexhitit, Nevzat Bejtës, Musa Xhaferit, Blerim Bexhetit, Visar Ganiut, dy deputetëve dhe disa figurave të tjera të partisë, shkruhej se “janë të detyruar të ngrejnë zërin dhe të reagojnë që atë që e kanë krijuar me mish e me shpirt, pra Bashkimin Demokratik për Integrim, ta kthejnë në pozitën siç zhvillohej plot 18 vite, mirë të organizuar dhe mirë të strukturuar”.
Në letër konstatojnë se në BDI gati për dy vite nuk ekzistojnë dhe nuk themelohen organet statutare partiake, se vendimmarrja politike është bërë pronë individuale, se nuk ka debat dhe konsultime me bazat partiake dhe se “zgjedhjet kadrovike janë shndërruar në privilegje të individit Artan Grubi”. Në pikat e tjera konstatohet po ashtu se nuk ka llogaridhënie për punën e Qeverisë dhe programin politik për gati dy vite, se ka rënie të mbështetjes dhe se “sjellja arrogante dhe diletante e ekzekutivit në krye me Artan Grubin, kanë shkaktuar pakënaqësi, revoltë dhe pasivitet të strukturave dhe të votuesve”.
Pas këtyre konstatimeve që bën, i ashtuquajturi “grup i zjarrit” kërkon debat politik brenda partisë për tejkalimin e kësaj situate, përgjegjësi dhe llogaridhënie nga mbajtësit e pushtetit ekzekutiv, apelojnë që të ndërpritet “lufta” politike brenda llojit, i bëjnë thirrje anëtarësisë dhe strukturave partiake që të angazhohen në evitimin e këtyre dukurive dhe situate, ndërsa krejt në fund kërkojnë nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti “që të shfrytëzojë autoritetin e vet politik dhe statutar për gjetjen e një zgjidhje për ruajtjen e unitetit partiak”.
I pyetur për këto, sot kreu i integristëve Ahmeti tha se BDI-ja pëveç se mund të funksionojë edhe pa të si kryetar, po ashtu mund të funksionojë edhe pa Mexhitin, Xhaferin e Bexhetin, sepse siç theksoi, “BDI ka ngritur struktura të qëndrueshme”./TV21