July 22, 2024
Rajon - Botë

Britania vendos sanksione të reja ndaj Bjellorusisë

Britania njoftoi për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Bjellorusisë për shkak të rolit të Minskut në ndihmën që i jep pushtimin rus të Ukrainës.

Në sanksione përfshihen edhe ndalesa të importeve dhe masa të reja që synojnë të parandalojnë propagandën në internet.

Bjellorusia, që udhëhiqet nga Alyaksandr Lukashenka që nga viti 1994, është aleatja më e palëkundur e Rusisë në mesin e ish-shteteve sovjetike dhe lejoi që të përdorej territori i saj që Kremlini të niste pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Muajin e kaluar, Rusia vendosi që të dislokonte armët bërthamore taktike në territorin bjellorus.

“Kjo paketë e re e sanksioneve rrit presionin ekonomik ndaj Lukashenkës dhe regjimit të tij, i cili në mënyrë aktive mbështet përpjekjet e luftës së Rusisë dhe injoron integritetin territorial të Ukrainës”, tha përmes një deklarate sekretari britanik i Jashtëm, James Cleverly.

Paketa e re e sanksioneve përfshin ndalesën për importet e arit, cementit, drurit dhe plastikës nga Rusia dhe po ashtu ndalon eksportet nga Britania për në Bjellorusi të parave të gatshme dhe makinerive, por edhe të mallrave të tjera, teknologjisë dhe materialeve që mund të përdoren për të prodhuar armë kimike dhe biologjike.

Britania tha po ashtu se do të jetë e aftë të parandalojë kompanitë mediale bjelloruse nga “shpërndarja e propagandës në Mbretërinë e Bashkuar” përmes kompanive të mediave sociale dhe ofruesve të shërbimeve të internetit duke ua kufizuar qasjen në internet.

Qeveria britanike po ashtu njoftoi se do të ndërmarrë hapa për të ndëshkuar subjektet që tentojnë të shmangin sanksionet, përfshirë edhe përmes kufizimit të fondeve për Bjellorusinë, por edhe kufizimeve të tjera.