Maqedoni

“Branitellat” më të organizuar se ushtarët e UÇK-së, statusin e kanë të zgjidhur me ligj, por kërkojnë ende më tepër!

“Branitellat” maqedonas nga viti 2001 rezultojnë më të guximshëm politikisht dhe më të organizuar se ish ushtarët e UÇK-së.

Edhe pse e kanë statusin e zgjidhur me ligj të posaçëm, “Branitellat” vazhdojnë të kërkojnë më tepër beneficione, për kundër ish ushtarëve të UÇK-së. Shumica e tyre kanë zgjedhur heshtjen dhe janë kënaqur me ndonjë vend pune që në përgjithësi nuk është në nivelin e meritave të tyre (me përjashtim të ashtuquajturve “ushtarë të Sollanës” të cilët u gjetën më mirë pas lufte).

Kryetari i Nderit dhe drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza, Stojançe Angellov, paralajmëron daljen e tij nga koalicioni qeverisës nëse nuk pranohet iniciativa e partisë për dëmshpërblimin e drejtë të pesëmbëdhjetë familjeve të “branitellave”, si dhe të tridhjetë invalidëve të luftës që nga viti 2001.

“Jemi jashtëzakonisht të zhgënjyer dhe të revoltuar nga deputetët e LSDM-së të cilët para disa ditësh votuan kundër propozim-ligjit për plotësimin e ligjit për “branitellat”. LSDM-ja ka mundësi ta korrigjojë këtë padrejtësi të madhe që ua bëri “branitellave” të Maqedonisë që nga viti 2001 duke marrë një vendim qeverie. Prandaj, në konferencën e sotme për media do të kërkojmë edhe një herë nga Qeveria që ta zbatojë iniciativën e nderit dorëzuar në dhjetor 2022 dhe të merret vendim për kompensim të drejtë për pesëmbëdhjetë familje të “branitellave”, si dhe për tridhjetë invalidë të luftës që nga viti 2001. Nëse iniciativa jonë refuzohet, do të rishqyrtojmë pjesëmarrjen tonë në koalicionin qeverisës të udhëhequr nga LSDM dhe BDI”, shkruan Angellov ne Facebook.