Bozhinovska: Për arsye shëndetësore nuk e pranoj ftesën e Osmanit
Ish-funksionarja e VMRO-DPMNE-së dhe ish-drejtorja e Komisionit për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare dhe Grupet Fetare, Valentina Bozhinovska në një deklaratë për “A1on”, ka thënë se për momentin nuk do të mund të japë angazhimin e saj në Këshillin strategjik të ministrit të Punëve të Jashtme Bujar Osmani, megjithatë shpreson që në të ardhmen të bashkëpunojnë.
“I nderuar ministër, iu falënderoj për ftesën dhe për idenë tuaj, e cila është briliante dhe shfrytëzoj rastin ta përshëndes, por për shkak të aktiviteteve të mia të kufizuara për arsye shëndetësore, nuk mund të kontribuoj për momentin, por shpresoj për bashkëpunim të ardhshëm për arsye se jam e bindur se të gjithë bashkërisht duhet që t’i shtrijmë duart për projektin për shtet evropian”, ka deklaruar Bozhinovska.
Ndryshe Valentina Bozhinovsk njihet për qëndrimet e saj anti shqiptare, kundër Marrëveshjes së Ohrit dhe kundër deklaratës së përbashkët të partive shqiptare. Përveç se në politikën e brendshme, Bozhinovska mbahet mend edhe për deklarata kundër perëndimit, Bashkimit Evropian dhe NATO-s, veçanërisht gjatë “natës së thikave”, kur protestuesit që ajo u drejtohej brohorisnin për ndihmë nga Rusia dhe presidenti Vlladimir Putin.