Bozhilov: Simpatizues të një partie dyshohen për alarmet për bomba në Maqedoni
MPB Maqedoni po vazhdon me hetimet për zbulimin e personave që kanë kërcënuar me bomba.
Ministri Oliver Spasovski, njoftoi se për momentin nuk mund të jep asnjë informacion deri ku janë hetimet, por se opinioni do të njoftohet në kohë për të gjitha.
“Hetimet bëhen në institucione, e jo në media dhe opinion. Për momentin nuk mund të jap detaje. Është mirë të ndiqen informacionet që vijnë nga institucionet relevante. Tani ka shumë informata por edhe dezinformata”, tha Spasovski.
Ai shtoi se aktualisht është duke u hetuar një grup dhe kur të sigurohen provat e nevojshme do të bëhet kallëzim penal.
“Sa i përket hetimit është një grup, për të cilin po kryhen një sërë veprimesh hetimore, kjo është gjithçka që mund të thuhet tani për tani. Kur të kemi më shumë prova, do të bëhet kallëzim penal. Ky është aplikimi i pestë deri më tani. Tre janë në Shkup, një në Kavadar dhe një në Dellçevë. Kur të përfundojnë veprimet hetimore do të njoftohet opinioni”, tha Spasovski.
Një ekspert bullgar, duke iu referuar burimeve nga kolegët e tij në Maqedoni, tregoi profilin e personave që do të akuzohen për alarmet me bomba në shkollat në Shkup dhe qytete tjera, transmeton Lideri.mk.
“Ata kanë shqyrtuar versione të ndryshme, një prej të cilëve është se bëhet fjalë për kërcënime hibride që lidhen me Rusinë. Sipas njohurive të mia, do të akuzohen disa maqedonas që janë të lidhur me një nga partitë politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, vlerëson Jordan Bozhilov për Televizionin Kombëtar bullgar, drejtor i Forumit të Sigurisë së Sofjes.