Maqedoni

Bota Sot: Çfarë fshihet pas frikës së madhe të liderëve të Ballkanit nga vizita e Albin Kurtit në Shkup e Tetovë?

Pamje nga vizita e Kurtit në MaqedoniMehazi: Albin Kurti, mund të ndikojë te qytetarët shqiptarë të RMV-së për të votuar Frontin Opozitar të Kasamit, Mexhitit e Gashit Mehmeti: Fjalimi i Kurtit është e vërteta të cilën Serbia nuk e kapërdin dot
Vizita e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në Maqedoni të Veriut, shkaktoi reagime jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë.

Pas vizitës së Kurtit, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, ka ngritur kallëzime penale kundër kryetarëve të Tetovës dhe Çairit për “shkelje të ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore”, gjatë vizitës që kryeministri i Kosovës zhvilloi më 11 gusht.

E padyshim që vizita e Kurti është komentuar edhe nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, i cili ka akuzuar Kurtin se e promovoi idenë e “Shqipërisë së Madhe” në Tetovë.

closevolume_off
“Ajo që ndodhi dje në Maqedoninë e Veriut, pra vizita e Kurtit në Tetovë, është skandal skandalesh. Aty u promovua ideja e “Shqipërisë së Madhe”, u shfaqën simbolet e Shqipërisë së Madhe.”, deklaroi Vuçiq pas vizitës së Kurtit.

Por nga qeveria e Kosovës i kanë mohuar kategorikisht pretendimet e presidentit serb.

“Vizita e Kryeministrit Kurti në Maqedoni të Veriut u bë me ftesë të kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu dhe kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami me rastin e ri-emërtimit të një rruge në Shkup me emrin e veprimtarit Adem Demaçi dhe inaugurimit të rrugës që lidhë fshatin Vicë me fshatin Sellcë. Në mes të muajit qershor, po ashtu me ftesë kryeministri Kurti kishte marrë pjesë në Forumin e Prespës, në Strugë, në kuadër të së cilit ai kishte zhvilluar takime edhe me zyrtarë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti. Ndërkaq që sa i përket nivelit të marrëdhënieve ndërshtetërore, ne kujtomë që dy qeveritë për të herë të parë kishin mbajtur një mbledhje të përbashkët në shtator të vitit 2021, si rezultat i marrëdhënieve të mira dhe interesave të përbashkëta. Komunikimi ndërmjet kabineteve qeveritare është i rregullt. Siç duket Vuçiq është nisur nga vetja e tij, insistimi në Serbi të Madhe edhe pas katër luftërave të humbura me emrin Bota serbe, dhe na akuzon neve kot”, deklaroi për media zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu.

Rebelimi kundër Kurtit

E sipas analistit nga Maqedonia e Veriut, Sulejman Mehazi vizita e kryeministrit Kurtit ka rebeluar përveç maqedonasit, edhe serbët.

ImageSulejman MehaziFOTO GALERI
“Vizita e kryeministrit Albin Kurtit në Çair e Tetovë ka rebeluar pa kurrëfarë shkaku jo vetëm elitën politike verimaqedonase, por edhe Vuçiqin e Serbisë i cili qëllimshëm akuzon ardhjen e Kurtit në Tetovë si ide e një Shqipërie të madhe, jo për diçka, po vetëm për të nxitur, ushqyer e shtuar urrejtjen e vëllezërve serbo-maqedonas jo vetëm ndaj shqiptarëve të RMV-së, po dhe ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe kryetarëve të dy komunave të Çairit dhe Tetovës”, thotë Mehazi për “Bota sot”.

“Maqedonasit i urrejnë shqiptarët vetëm për shkak vëllezërve të tyre të gjakut serb dhe se brendësisht, përzemërsisht, e shpirtërisht ata e ndiejnë veten serbë dhe se për Serbinë janë në gjendje të humbin shtetin e RMV-së. Sesa pro serbë janë maqedonasit, kemi shembullin e para disa ditëve të vizitës së Sekretarit shtetëror serb në qytetin maqedonas të Shtipit ku me rastin e 120 vjetorit të okupimit serb, para elitës shtetërore maqedonase: Pendarovskit, Mickoskit dhe Apasievit, Sekretari shtetëror i Serbisë RMV-në e Pendarovskit e konsideroi si “Stara Srbija”, “Juzna Srbija” dhe për çudi, politikanët, mediat, TV-të, analistët maqedonas heshtën duke u pajtuar me Sekretarin shtetëror të Serbisë se RMV-ja është “Stara srbija” apo “Juzna serbija” kurse për vizitën e Kurtit në Tetovë e Vicë të gjithë u çuan kundër tij”, shton Mehazi.

Ai thotë se pritja madhështore dhe përkrahja e madhe e Kurtit në Tetovë normale se ka frikësuar edhe partitë shqiptare në pushtet në Maqedoni të Veriut.

“Vizita e kryeministrit të Kosovës, Kurtit, në Tetovë ka qenë e papërshtatshme edhe për vetë BDI-në e cila politikisht shkon në drejtim të Ballkanit të hapurt të Vuçiqit e jo në drejtim të ideve kombëtare shtetërore të Albin Kurtit. Pritja madhështore dhe përkrahja e madhe e kryeministrit Albin Kurtit në Tetovë normale se ka frikësuar edhe partitë shqiptare në pushtet BDI-ASH-PDSH, për shkak se gjatë zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, Albin Kurti, mund të ndikojë te qytetarët shqiptarë të RMV-së për të votuar Frontin Opozitar të Kasamit, Mexhitit e Gashit”, shton Mehazi.

“Nuk është e rastësishme frika e Vuçiqit, Pendarovskit, Ramës, Ahmetit se mos ndoshta Albin Kurti bëhet lider absolut i shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor”, përfundon për “Bota sot”, analisti Sylejman Mehazi.

Propaganda serbe

ImageFaton MehmetiFOTO GALERI
Kurse analisti Faton Mehmeti thotë se Aleksandër Vuçiq po i frynë zjarrit në Ballkan.

“Serbia e Milosheviqit nuk ndryshon aspak me Serbinë e Vuçiqit, të njëjtën propagandë, të njëjtën mendësi dhe të njëjtat akuza ndaj kujtdo që mendon për kombin shqiptar. Zjarrit me akuza i fryn Vuçiqi. Rruga Tetovë-Prizren është me rëndësi strategjikë për Kosovën dhe Maqedoninë. Pastaj fjalimi i Kurtit është e vërteta të cilën Serbia nuk e kapërdin dot, me Shkupin që duhet të kthehet kah Evropa e jo të ngelet peng i Serbisë”, shprehet Mehmeti.

“Fjalimi i Kurtit është e vërteta të cilën Serbia nuk e kapërdin dot, hedh tymnajë për të fshehur të vërtetën. Fatkeqësisht, Serbia ka ngel nën propagandën e Millosheviqit”, përfundon Faton Mehmeti për “Bota sot”.