BOTA SILLET: DIKUR SHQIPTARËT ANKOHESHIN NGA (PA)DREJTËSIA E GJYKATAVE, TANI PO ANKOHET BDI-JA!
Bota është e rrumbullakët dhe sillet pandërprerë. Simbolika e këtij fakti është dëshmuar miliona e miliona herë në realitet. Sigurisht që po dëshmohet së fundmi edhe në kontekst të zhvillimeve politike tek shqiptarët në Maqedoni.Si po ndodh kjo? Ja për shembull: Dikur shqiptarët ankoheshin nga vendimet e gjykatave, në raste të montuara politike, sot po ankohet BDI-ja. Ose thënë më troç, dikur shqiptarët qanin nga (pa)drejtësia e gjykatave, tani po “qanë” BDI-ja! Dallimi është i madh. Kur qanin shqiptarët nga drejtësia e padrejtë e gjyqësorit, bëhej fjalë për raste ku vendosej nëse familjarë të tyre do të dënohen me dënime drakonike, deri në dënime të përjetshme, në raste pak ose aspak të bazuara në fakte e dëshmi konkrete, shkruan Zhurnal.
BDI nuk i ka hallet që i kanë pasur familjet shqiptare të ngatërruara në labirinthet e gjyqësorit. Halli i BDI-së sot është edhe më i “madh”: do të jenë apo nuk do të jenë në pushtet? Do të vazhdojnë të shfrytëzojnë beneficionet e pushtetit, veturat zyrtare, kartelat zyrtare bankare, apo do të duhet të voziten me veturat e tyre private, të paguajnë nga xhepi i tyre dhe të jenë të privuar nga shumë benifite tjera të pushtetit. Dhe normal kur rrezikon t’i humbasësh gjithatë këto benifite, kuptohet se do “kapesh” tek fraza e harruar që nga viti 2008, se se po rrezikohet interesi i shqiptarëve. E pastaj të bësh lloj –lloj krahasime, madje edhe me Bosnje Hercegovinën e viteve të 90-ta. Nga një parti që refuzonte të komentojë vendimet e gjykatave, sepse “gjyqësori është i pavarur nga politika”, BDI tani është bë parti që komenton vendimet e gjykatave dhe paralajmëron për pasoja prej tyre, ende pa u shpallur ato vendime.
Kjo nuk është e tëra! Pritni pritni, sepse loja ende nuk ka filluar!
Funksionarët e BDI-së tani ndoshta do e përjetojnë në lëkurën e tyre sa e hidhur është shija kur dëshiron të protestosh para Qeverisë, Kuvendit, ose Gjykatës, por policia për shkak të “vlerësimeve të sigurisë” nuk të lejon të protestosh përtej Bit Pazarit ose Qendrës Tregtare Mavrovasja. Këtë shije të hidhur e kanë shijuar shqiptarët në shumë raste brenda intervalit kohor sa ishte BDI në pushtet. Tani ndofta do të ndodhë e kundërta.