Kosovë

Borrell thotë se do të vazhdojnë të sigurojnë stabilitet në veri të Kosovës

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, pas takimit me ministrat e jashtëm të NATO-s të martën në Bruksel, ka deklaruar se anëtarët e Bashkimit Evropian janë të angazhuar për paqe në Ballkanin Perëndimor.
Ai në një video-adresim në rrjetin social X, ka thënë se KFOR-i dhe EULEX-it do të vazhdojnë bashkëpunimin me qëllim të sigurimit të stabilitetit në veri të Kosovës.

“Në këtë sesion ne folëm për Ballkanin Perëndimor. Ju e dini se sa i rëndësishëm është Ballkani Perëndimor për BE-në. Shumë anëtarë të bllokut janë të angazhuar për stabilitet në këtë rajon dhe shumë shtete të këtij rajoni janë kandidate. Stabiliteti i tyre, prosperiteti dhe përshtatja me politikën e jashtme është shumë e rëndësishme për ne. Më lejoni të theksoj rëndësinë e bashkëpunimit mes BE-së dhe NATO-s në veri të Kosovës”.

Ai ka theksuar se EULEX-i ndër vite ka luajtur rol të rëndësishëm për paqen në Kosovë dhe se do të vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë edhe në të ardhmen.

Borrell u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të rrisin vullnetin për marrëveshje për rrugën e tyre evropiane.

“Misioni ynë i EULEX-it është i pozicionuar dhe ka një bashkëpunim të fortë me KFOR-in dhe po përballen me momente të vështira. Ne do të vazhdojmë të sigurojmë stabilitet dhe siguri në këtë pjesë të Kosovës dhe në kufirin me Serbinë”, ka thënë Borrell.