Maqedoni

Boçvarski: Kemi “Plan B” për Ligjin për ndërtimin e autostradave

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, potencoi se ata si Qeveri kanë përpunuar variante në lidhje me fillimin dhe ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D. Sipas tij, prioritet i Qeverisë është që vendi ynë të ketë rrugë të sigurta dhe moderne.

“Me cilin parim dhe cilën mënyrë do të ndërtohen është punë e Parlamentit, Qeverisë dhe të gjitha institucioneve tjera, si dhe e Ndërmarrjes publike për rrugë shtetërore e cila është e obliguar për ndërtimin dhe rikonstruimin e rrugëve në shtet dhe ka kapacitete dhe resurse të mëdha në këtë pjesë”, u shpreh ai.

“Grupet parlamentare paraqitën ligjin i cili ishte miratuar, ndërsa korrigjuesi i Kuvendit gjithsesi mund të jetë Gjykata Kushtetuese e cila mund të ketë iniciativë të vendosë nëse ndonjë ligj i cili është sjellë i përmban të gjitha elementet për të cilat është diskutuar ose jo. Gjithsesi nëse ky ligj hyn në fuqi, ndërsa tashmë ka paralajmërime se do të nënshkruhet nga presidenti i shtetit, ne do të veprojmë sipas atij, por secili që konsideron se duhet të ngritë ndonjë iniciativë mund ta bëjë atë sepse ky është shtet demokratik”, theksoi Boçvarski.

Kuvendi prej më parë njëzëri e votoi Ligjin për ndërtimin e autostradave me të cilin parashikohet konsorciumi amerikano-turk “Bektel-Enka” t’i ndërtojë autostradat Tetovë-Gostivar, Gostivar-Bukojçan, Trebenishte-Strugë-QafëThanë dhe Manastir-Prilep sipas parimit çelës në dorë.