Rajon - Botë

Bisedimet Rusi-Ukrainë vendimtare? Lukashenko gati t’i bashkohet Putin në luftë

Mediet ndërkombëtare raportojnë se Bjellorusia do ti bashkohet Rusisë në sulmin ndaj Ukrainës.

Deklarata u bë nga një zyrtar amerikan i cili tha se Bjellorusia po planifikon të bashkohet me pushtimin rus të Ukrainës, menjëherë pasi një referendum në Bjellorusi të dielën miratoi një kushtetutë të re që heq statusin jo-bërthamor të vendit – që do të thotë se ajo mund të presë potencialisht armë ruse.

Zyrtari amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti për Washington Post, tha se ‘është shumë e qartë se kryeqyteti (Bjellorusia) Minsk tani është një zgjatim i Kremlinit.

Zyrtari nuk dha asnjë të dhënë se sa trupa dhe ku do të dislokoheshin.

Bjellorusia ka ofruar mbështetje për përpjekjet luftarake të Rusisë, por deri më tani nuk ka marrë një pjesë të drejtpërdrejtë në konflikt.

Lufta ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës ka hyrë në ditën e saj të pestë, teksa qindra vetë janë raportuar të vrarë dhe mijëra të tjerë të plagosur. Kievi vijon të jetë nën kontrollin e forcave ukrainase, të cilët nuk kanë lejuar avancimin e ushtrisë rusë.

Në këtë situatë, palët bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës për të gjetur zgjidhje për luftën, kanë filluar. Reuters raporton se lajmi është bërë i ditur nga Mykhailo Podolyak, këshilltari i Presidentit ukrainas.

Takimi po zhvillohet në Bjellorusi, në një zonë pranë kufirit me Ukrainën. Bisedimet do të fokusohen në arritjen e një armëpushimi të menjëhershëm dhe tërheqjen e forcave ruse nga territori ukrainas. Këto janë pretendimet e Ukrainës.

Delegacioni ukrainas mbërriti me helikopter ushtarak në rajonin Gomelit, aty ku mbahen bisedimet. Pjesë e delegacionit ukrainas është edhe ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksii Reznikov. Mesa duket takimi i sotëm mes dy delegacioneve do të jetë vendimtar.