BallinaMaqedoni

Bisedimet për qeverinë shkojnë përpara, Osmani thotë se kjo paraqet kthim mbrapa!

“Ajo që mund të them për momentin është se procesi negociues bazohet në parime, procesi euro integrues, lufta kundër korrupsionit dhe krimit si dhe nevoja për reforma të caktuara për zhvillim ekonomik”. Kështu u përgjigj zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski në pyetjen se deri ku kanë arritur bisedimet me partnerët e koalicionit.

Stoillkovski shtoi se bisedimet vijojnë, por ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare.

“Për momentin ajo që mund të thuhet është se bisedimet janë në fazë të avancuar, por ende nuk ka marrëveshje përfundimtare deri në moment të fundit nuk do të kemi detaje tjera. Bisedoet për resore ekonomike dhe politike, por më e rëndësishme është që të pranohen parimet e Qeverisë dhe përcaktimet e përgjithshme programore”, tha Stoilkovski.

Në fund tha se bisedimet do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve të ardhshme.

Nga ana tjetër Fronti Evropian vazhdon të insistojë se ky koalicion ka legjitimitetin për të përfaqësuar shqiptarët dhe bashkësitë tjera etnike në Qeverinë e ardhshme, pavarësisht zhvillimit të negociatave VMRO-VLEN dhe pohimeve të vazhdueshme të VMRO-DPMNE-së se BDI-ja do të shkojë në opozitë.

Ministri i Jashtëm dhe Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, përmes një postimi në Facebook shkruan se “Mosrespektimi i vullnetit të votës së popullit shqiptar e bën të pakuptimtë organizimin politik dhe garën elektorale mes shqiptarëve.

Kthen konceptin e “një shumice” së para Marrëveshjes së Ohrit dhe margjinalizon tërësisht peshën e tyre politike. Gara e re do të jetë kush është i preferuari dhe miku i partive politike maqedonase, që për fat të keq, fitoren e tyre e kanë proporcionale me narrativin antishqiptar që kanë” – shkruan Bujar Osmani në facebook.

Derisa pritet të përfundojë procedura formalo-juridike në KSHZ, Fronti Evropian dhe LSDM-ja janë në garë për të dëshmuar se cila parti do të jetë forca e dytë politike në vend apo kujt do t`i takojë Kryetari i KSHZ-së. Sipas mediave për këtë vend pretendojnë Krenar Lloga dhe Bojan Mariçiq

Në përbërjen aktuale të Kuvendit koalicionet e BDI-së dhe LSDM-së kanë nga 18 deputetë, VLEN – 14, “Levica” dhe “Znam” nga 6, kurse VMRO-DPMNE-ja dhe koalicioni 58.