Bisedimet për qeverinë, ja kërkesat e ASH-së!
Për të dytën ditë me radhë, grupet negociatore të LSDM-së dhe Aleancës për Shqiptarët zhvillojnë bisedime për zgjedhjet kadrovike të cilat do ta përfaqësojnë partinë e Arben Taravarit në pushtet. Këtë e konfirmojnë edhe nga vetë partia, edhe pse nuk ka të dhëna zyrtare për cilat poste negociohet.
“Grupet e punës me intensitet të lartë punojnë për mbylljen e të gjitha çështjeve që janë në tavolinë. Ka pajtime, ka përafrime, ka edhe mospajtime për disa çështje, por vazhdojnë negociatat deri në mbylljen e të gjitha temave”, deklaruan nga Aleana për Shqiptarët.
Pasi grupet të arrijnë marrëveshje, pritet takim Kovaçevski – Taravari gjatë ditëve në vazhdim.
Jozyrtarisht, siç ka informuar dhe më herët Alsat, negociatat zhvillohen kryesisht për Ministrinë e Drejtësisë dhe të Shëndetësisë. Eventualisht, nëse Alternativa lëshon pushtetin, ASH-ja kërkon plus Ekologjinë ose Ministrinë e Shoqërisë Informatike. Kurse nëse nuk arrijnë ta marrin Shëndetësinë, ASH-ja këmbëngul për Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale.
Pozitat e zv/ministrave të cilët janë në tavolinë të negociatave varen nga ministritë që do të marrin, por bisedimet zhvillohen kryesisht për zv/ministrin e Mbrojtjes, të Punëve të Brendshme dhe Punës dhe Politikës Sociale. Në fokus po ashtu është kërkesa për të menaxhuar me Inspektoratin e Punës dhe Politikës Sociale dhe të Arsimit. ASH-ja kërkon të udhëheqë me dy nga këto institucione: Fondi Pensional, Fondi Shëndetësor ose Mepso si dhe zhvillon negociata për pozitën e zv/drejtorit në Drejtorinë e Doganave ose në Drejtorinë e të Ardhurave Publike.
Sipas burimeve jozyrtare, Aleanca për Shqiptarët do të preferonte që Alternativa të mos largohet nga pushteti. Instrumenti kryesor ku partia e Taravarit ka fokusuar bisedimet është gjetja e një mekanizmi për luftë kundër korrupsionit. Deri tani, nuk ka një afat të dhënë qartë nga të dyja palët se kur negociatat duhet të kenë një epilog./alsat.mk