June 29, 2024
BallinaMaqedoni

Bisedimet për Qeverinë e re, Taravari: Faza e parë e bisedimeve është pozitive

VMRO-DPMNE dhe koalicioni VLEN vazhdojnë bisedimet në nivel të grupeve punuese për një koalicion të mundshëm në qeverinë e ardhshme.

Arben Taravarit nga koalicioni VLEN, për zërin e Amerikës ka bërë të ditur se nga 1 deri më 5 qershor, vendi do të ketë një Qeveri të re.

Ai thotë se ende nuk është diskutuar për zgjedhjet kadrovike dhe ndarje resorësh, në fazën e parë të bisedimeve do të bëhet harmonizimi i programit, e më pas do të bisedohet se kujt e çfarë do t’i takojë.

“Në fazën e dytë do të diskutojmë zgjidhjet kadrovike. Shpresoj që për një javë deri në dhjetë ditë të fillojmë të flasim për këtë. Ndërkohë ekipet do të përgatiten dhe do të shohin se ku jemi me ndarjen e ministrive dhe drejtorive. Natyrisht, duam të tregojmë se pjesa shqiptare e Qeverisë, e cila do të qeverisë për katër vitet e ardhshme, do të dijë të qeverisë dhe të qeverisë me staf të mirë që do të jenë profesionistë.”, – deklaroi Arben Taravari nga koalicioni VLEN.

Bisedimet për Qeverinë e re, Misajlovski: Procesi do të jetë transparent

Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Vlado Misajlovski, për TVM-në thotë se procesi duhet të jetë transparent që të mos ketë zhgënjim të asnjërit koalicion dhe gjithçka të jetë në interes të qytetarëve.

“Duhet të merren parasysh edhe ata me të cilët negociohet, të jenë të kënaqur e të mos jenë të nënçmuar. Në këto zgjedhje u dëshmua se qytetarët e Maqedonisë dhanë përkrahje më të madhe për VMRO-DPMNE-në dhe ai besim nuk duhet t’i nënshtrohet zhgënjimit. Këtë e them me qëllim, sepse e gjithë kjo mbështetje e madhe edhe pritshmëritë i ka të mëdha.”, – theksoi nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Vlado Misajlovski.

Në fazën e parë të bisedimeve, Misajlovski thotë se janë dakorduar që prioritetet e para të jenë: ekonomia, lufta kundër korrupsionit dhe krimit, si dhe eurointegrimet.