May 16, 2024
Maqedoni

Bisedime joformale mes qeverisë dhe opozitës për ndryshimet kushtetuese

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bojan Mariçiq, konfirmoi se vijojnë bisedimet me opozitën për ndryshimet kushtetuese, në disa nivele. Kjo vjen pasi presidenti Stevo Pendarovski, në një intervistë televizive tha se bisedimet joformale po zhvillohen nën ndërmjetësimin e huaj. Mariçiq përsëriti gjithashtu se priten vizita të reja nga zyrtarët ndërkombëtarë, por nuk zbuloi hollësi nëse ka oferta të reja në tryezë ndërmjet qeverisë dhe opozitës.

“Ne ofruam gjithashtu një format politik në të cilin opozita do të merrte pjesë në qeveri, ne ofruam gjithashtu mundësinë për të sjellë garanci shtesë për institucionet tona se si të sillen në negociata, por këmbëngulja jonë është që gjithçka të mbetet brenda kornizës së bisedimeve dhe të asaj që është e mundur”, tha Bojan Mariçiq – Zëvendëskryeministër për Punë Evropiane.

Mariçiq tha gjithashtu se qeveria e re në Sofje ka vullnet të mirë, dhe nuk pret të komplikojë më tej procesin, por se të dyja palët duhet t’i përmbahen asaj që është shkruar në kornizën e bisedimeve, konkluzionet e Këshillit të BE-së dhe protokollet.

Përndryshe, derisa negociatat joformale ndërmjet qeverisë dhe opozitës vijojnë, krerët e partive LSDM dhe VMRO-DPMNE, Dimitar Kovaçevski dhe Hristijan Mickoski nuk e ndryshojnë retorikën në publik. Kovaçevski tha se ndryshimet kushtetuese janë teknike, nuk cenojnë identitetin ndërkaq se me ndryshimet kushtetuese bëhet bullgarizimi dhe asimilimi janë teza akuzojnë “qarqe ruse dhe njerëz që kanë interes financiar”. Nga ana tjetër, Mickoski shpjegon se ai do të angazhohet për agjendë maqedonase, e jo për agjendën evropiane të pushtetit, të cilën ai e quajti “agjendë kriminale”.

“Për herë të parë kemi një politikan, që pas 30 vite pavarësie thotë në një deklaratë publike se agjenda evropiane nuk është e njëjtë me agjendën maqedonase. Deri më tani, asnjë politikan në vend nuk e ka thënë këtë. Këtë javë dhe në fillim të javës, presidenti i VMRO-DPMNE-së tha se agjenda evropiane nuk është e njëjtë me agjendën maqedonase”, u shpreh Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.

“Dimitar Kovaçevski ka të drejtë kur thotë se agjenda evropiane, sipas koalicionit të BDI-së, e mbështetur nga partneri i vogël i koalicionit LSDM, për të cilin edhe për pak kohë supozoj se ai do të jetë kryetar, është krejtësisht e ndryshme nga ajo maqedonase, e cila është pjesë e agjendës reale evropiane. Unë kurrë nuk do të jem pjesë e asaj agjende që, në tërësinë e saj, përfshin miliona prona të zotërinjve të rinj në qendër të kryeqytetit”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Nëse do të ketë shumicë prej dy të tretash për ndryshimet kushtetuese do të dihet më së shpejti më 18 gusht, kur fillon seanca plenare për nevojën e hapjes së Kushtetutës. Debati mund të zgjasë maksimumi dhjetë ditë, por kryetari Talat Xhaferi hapi mundësinë që seanca të pezullohet dhe të rifillojë kur të sigurohen 80 vota. Procesi i ndryshimeve kushtetuese duhet të përfundojë deri më 30 nëntor, kur të përfundojë procesi i skriningut. /Alsat.mk