“Bir, nëse je gjallë kthehu në shtëpi”, lutet babai i Astritit të zhdukur nga Gostivari (Video)
Sot bëhen tetë ditë nga zhdukja e Astrit Ismailit nga banesa e tij në Shkup. Nga e hëna e javës së kaluar 26 vjeçari nga Gostivari nuk ka pasur kontakt me asnjë nga familjarët e tij, të cilët vazhdimisht kanë apeluar për ndihmë për gjetjen e të birit. Babai i tij, Fehin Ismaili i bën apel djalit të vet Astritit që nëse është shëndoshë e mirë, të kthehet në shtëpi, pavarësisht çfarë i ka ndodhur apo nëse ai mund të ketë gabuar diçka.
Babai nuk dyshon se djali i tij të ketë pasur ndonjë problem me dikë. Thotë se në Shkup ka studiuar dhe njëkohësisht ka punuar.
Babai i Astritit bën të ditur se deri ditën e sotme nuk kanë marrë asnjë informacion nga institucionet kompetente për zhdukjen e të birit. Thotë se janë të rezervuara si policia në Gostivar, ashtu edhe ajo në Shkup.
Astrit Ismaili ka qendruar me banesë në Shkup në rrugën: VARSAVSKA numër 17. Gjërat e tij personale si telefon, laptop të gjitha ishin gjetur në banesë. Familja e Astritit i cili është fejuar para dy muajsh, lusin të gjithë ata persona nëse e takojnë djalin e tyre të kontaktojnë policinë ose të lajmërohen në numrin e telefonit: 071 433 777.