Erkini mund ta humb shtëpinë nga përmbaruesit për shkak se nuk ka paguar faturat e dyqanit

Pas 12 vitesh po e hap dyqanin. Që kur e kishte mbyllur, pronari Erkin Ajdin lokalin e ka ofruar me qira, por askush nuk shfaq interes për ta marr ose për ta blerë, tregon ai për TV21.
E ndonëse i mbyllur për më shumë se 10 vjet, Ajdin është i detyruar t’i paguaj fatura ShA QTQ.

“Për shembull 20 mijë denarë në muaj, çdo vit duhet të paguajmë 240 mijë denarë, për 5 vjet ja 1 milion denarë, plus ka kamatë te kjo, plus përmbaruesi dhe shpenzimet e tij, kjo është një shumë e stërmadhe me të cilën na ngarkojnë, pa i shfrytëzuar ato shërbime. Ne jemi dakorduar të paguajmë paushall kur dyqani është i mbyllur ose të ketë ndonjë rend, por jo të paguajmë sikurse dyqani të jetë i hapur.”- deklaroi Erkin Ajdin – pronar dyqani.

Ajdin ankohet për shumën e lartë të faturave, të cilat nuk i ka paguar, meqë si¬ç thotë nuk e shfrytëzon dyqanin. Thotë se drejtori e ka çuar direkt në përmbarues, të cilët duan t’ia marrin shtëpinë, e nuk e duan dyqanin.
“Në fund të marrëveshjes shkruan se të gjitha mosmarrëveshjet tona duhet të zgjidhen përmes gjyqit e faktikisht ata na çojnë në përmbarues dhe direkt ma marrin shtëpinë, sikurse ma kanë bllokuar në fletëpronësi shtëpinë te vlerësuesi dhe ma shesin shtëpinë faktikisht.”- pohon deklaroi Erkin Ajdin – pronar dyqani.

Akuzat e lartpërmendura i hedh poshtë drejtori i QTQ Gjoko Trajçevski. Thotë se pronarët e dyqaneve të mbyllura, përfshirë edhe Ajdin, kanë mundësi t’i japin dyqanet me qira dhe t’i mbulojnë shpenzimet, por nuk duan.

“Ja unë si mik, e jo si drejtor po e porosis, ose ta hap dyqanin, sepse dyqan i mbyllur është më i shtrenjtë ose, ta jap dyqanin me qira ose të drejtohet në hapësirat tona, QTQ t’i ndihmojë për ta dhënë dyqanin. Nuk e di përse kaq kohë të gjatë nuk e ka dhënë.”- tha Gjoko Trajçevski – drejtor ekzekutiv i SHA QTQ.

Trajçevski mohon se procedura e borxhit të Ajdin ka shkuar drejtpërdrejt në përmbarues, e jo në gjykatë, thotë se asnjëherë nuk do t’ia kishte marrë shtëpinë.

“Duhet të kontrollojmë në shërbimin juridik se si ka ardhur te kjo, ky është shënim në fletë pronësi, nuk i është marrë shtëpia, që të mbrohet QTQ nga borxhi që është bërë.
Njëherë mund t’ia marrin dyqanin sepse borxhin aty e ka, përse shtëpinë? Mundet por duhet të kontrollojmë në shërbimin juridik se përse… Unë si drejtor ekzekutiv mundohem t’u ndihmoj që të japin dyqanet dhe që kanë probleme me pagesa, ne si QTQ kemi pasur mirëkuptim. A keni pasur së fundmi ndonjë takim me shoqatën? Po… kam pasur me shoqatën si jo.”- pohoi Gjoko Trajçevski – drejtor ekzekutiv i SHA QTQ.

Mirëmbajtja e dyqanit paguhet 4 euro për m2, ose për një dyqan 50m2, 200 euro në muaj. Shoqata e dyqanxhinjve kërkon që të bëhen marrëveshje të reja me ShA QTQ, dhe për dyqanet të paguajnëpaushall nëse i kanë të mbyllur deri në 2000 denarë, siç shprehen, sikurse në qendrat tjera tregtare të tipit të hapur.