Maqedoni

Bilall Kasami në prokurori, Tetova në zgjedhje të reja për Këshillin Komunal?

Sot është ndërprerë seanca e Këshillit të Komunës së Tetovë për shkak se shumica nuk votoi rendin e ditës. “Mollë sherri” është bërë rruga “Strasho Pinxhur”. Këshilltarët e listës së pavarur “Më mirë për Tetovën” kërkuan që si pikë e parë në rend të ditës të vendoset diskutimi për punimet në këtë rrugë, gjegjësisht prerja e drunjve nga ana e komunës, veprim i cili u kundërshtua nga Lista, shkruan Nistori.

Kryesuesi i Këshillit, Besar Durmishi në deklaratën për media tha se për punimet në “Strasho Pinxhur” komuna ka mbulesë, por do të diskutojë ende në lidhje me punimet, sepse këshilli ka edhe problem tjera jashta çështjes me “Strasho Pinxhur”. Arsyeja pse nuk u votua rendi i ditës dhe pse nuk iu dha mandat këshilltarit të ri ishte mungesa e numrave. Numri i votave ishte 15 PËR dhe 15 TË PËRMBAJTUR dhe kjo pamundësoi zgjedhjen e tij.

“Një këshilltar ende nuk e kishte marrë mandatin. 30 këshilltarë ishin të pranishëm dhe e dijmë të gjithë se për t’u votuar rendi i ditës duhet të ketë 16 këshilltarë ose me shumicë të thjeshtë. Numri i votave ishte 15 PËR dhe 15 TË PËRMBAJTUR dhe kjo pamundësoi votimin e rendit të ditës.” – theksoi Durmishi.

Durmishi shtoi se mbledhja do të mbahet dhe se raporti ishte i përgatitur. Ruajtjen e shumicës së këshillit do ta ruajnë me rikthimin e këshilltarit të ri, shtoi ai.

Këshilltari Hamdi Sulemani nga MMPT deklaroi se arsyeja e këmbënguljes për të vendosur diskutimin për “Strasho Pinxhur” si pikë e parë të rendit është se, qytetarët duhet ta kenë të qartë pse Lista kërkoi që të ndërpritet prerja e drunjve dhe jo punimet ndërtimore.

“Duhet ta paralajmërojmë kryetarit të komunës gabimet të cilat i ka bërë për procedurën rreth prerjes së drunjve, pasi që nuk ka një program të kaluarën në këshillin në gjithë 31 këshilltarët komunal dhe ai del dhe vepron ashtu si kapadahij dhe të bëjë një veprim të cilin nuk duhet ta bëjë. Ka procedura ligjore. Është ligji për gjelbërim urban, ku ia tregon të gjitha procedurat se si duhet t’i ndërmerr kryetari i komunës bashkë me kryesuesin e këshillit komunal. Unë i them kryetarit, i preni drutë dhe do të përfundoni në prokurori. Drunjtë mund të priten kur do të respektohen të gjitha rregulloret, të gjitha dispozitat ligjore. Pasi që në nenin dhe në ligj për gjelbërim urban thotë se duhet të sillen dru më të vjetër se gjashtë vite. Duhet të bëhen ekspertiza të posaçme procedurale që duhet t’i ndjek ai lokacion.”, deklaron Sulemani.

Blerim Osmani – këshilltari nga radhët e BDI-së, tha se është e turpshme situata e krijuar me rastin “Strasho Pinxhur”. Fillojnë punimet, pastaj ndërpriten, në të cilën kanë pasoja qytetarët, pronarët e lokaleve dhe kjo sipas Osmanit është paaftësi e menaxhimit të komunës.

“Ne vazhdimisht e kemi ngritur zërin, kemi kërkuar dokumentacion, kemi kërkuar të respektohen këto rregulla, vazhdimisht janë shkelur. Sot u bindëm të gjithë se vazhdojnë të shkelin këtë. Ne e përkrahëm kërkesën e nismës “MMPT”, të futet si pikë e rendit të ditës. Gjithashtu e kishim edhe kërkesë tjetër të na jepet informacion në lidhje për marrëveshjen me kompaninë private për punësim të personave nga jashtë. E pamë pse nuk kaloi dhe erdhëm në përfundim deri te kjo se nuk patën kuorum për ta vazhduar rendin e ditës.” – tha Osmani.

Komuna e Tetovës shkon në zgjedhje të reja për këshillin komunal. Burime nga Komuna e Tetovës bëjnë të ditur se pas dështimit të këshillit për të miratuar buxhetin e ri dhe llogarinë përfundimtare deri më 31 mars dhe pas disa dështimeve për rend dite në disa pika të tjera, këshilli obligohet të shpërndahet ndërsa Ministria e Pushtetit Lokal të njofton Qeverinë.

Neni 75 Kushtet për shpërndarje të këshillit

Këshilli shpërndahet nëse: ….4. Nuk e miraton buxhetin dhe llogarinë përfundimtare të buxhetit deri në 31 mars të vitit vijues.

Punimet për këtë rrugë filluan në periudhën parazgjedhore, por pas zgjedhjeve lokale 2021 me të ardhur në krye të komunës, Bilall Kasami ndërpreu punimet me arsyetimin se projekti i asfaltimit nuk i plotësonte kriteret. Për këtë aktivitet, janë prerë drunjtë rreth rrugës si ata të vjetërit por edhe fidane më të reja, gjë që ka nxitur reagimin e qytetarëve dhe organizatave joqeveritare. Komuna thotë se do të zëvendësohen me të rinj.