Diaspora

“Bijtë e Shqipes” themelojnë shkollën shqipe në Filadelfia të Amerikës

PËRSËRI BASHKË, PËR TË PËRFUNDUAR PROJEKTIN E QENDRËS SË RE TË KOMUNITETIT SHQIPTAR NË FILADELFIA

Tashmë objekti i ri i shqiptarëve në Filadelfia, që do të destinohet për Qëndër komunitare e shkollë shqipe për fëmijtë tanë, është një realitet prej më shumë se 4 vitesh. Bijtë e Shqipes këtu janë të zotët e ketij vëndi, pasi e blenë atë, falë angazhimit e kontributit të disa qindra familjeve shqiptare. Në atë kohë për të gjithë që një gëzim i madh, dhe ishte e menjëhershme puna e shumë bashkatdhëtarëve, si përgjigje e këtyre emocioneve që u krijuan. Eshtë shkruar shumë për këtë vrull të jashtëzakonshem. Megjithatë gjërat nuk ecen sic qenë parashikuar. Pandemia dhe statusi historik i këtij objekti, krijuan vonesa disa vjecare për të realizuar punimet për restaurimin e tij.
Por tani gjithcka nga ana ligjore është gati, për të filluar punën së bashku. Dhe për të mos humbur kohë, kryesia e shoqatës “Bijtë e Shqipes” nëpërmjet kryetarit të saj, z.Bujar Gjoka, përcolli një Mesazh drejtuar bisneseve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Filadelfia e rreth saj, për një takim ditën e Premte, me datë 3 Mars 2023 në oren 6 të mbrëmjes, që të përcaktohen hapat konkret që duhet të ndërmarrim për të përfunduar punën e nisur. Megjithë angazhimin që ka dita e premte për bisneset, disa prej tyre së bashku me një pjesë të kryesisë të shoqatës e veprimtar të saj, gjetën kohë për tu bërë pjesë e këtij takimi.
Kryetari i shoqatës z. Bujar, hapi takimin duke falenderuar të gjithë pjesëmarrësit dhe duke informuar ata për nevojen që kemi të bëhemi bashkë përsëri e të realizojmë atë project që kemi nisur vitë me parë, por që pavaresisht perpjekjeve tona nuk u arrit të bënim atë që mund të bëhej që në vitin e parë pas blerjes. Sigurisht, për punë të mira asnjeherë s’është vonë. Vecanërisht kur fjala është për Qëndrën tonë që do të jetë shumë funksionale e në radhë të parë si shkollë shqipe. Ne do të vazhdojmë të vlerësojmë cdo dollar të dhuruar nga cdo pjestar i komunitetit dhe të ruajmë transparencën para tyre. Më tej z. Bujar sqaron: Në bisedë paraprake me z. Arti Ismailanji, që si shumë të tjerë zotëron një kompani ndërtimi si General Construction e që njeh ligjet e kësaj fushe, ja bëmë present shqetësimin e nevojën tonë për të marrë përsipër menaxhimin e punimeve deri në përfundim të projektit. Ai e mirëpriti këtë, prandaj e falenderojmë.
Pas fjalës së z. Bujar, në takim filloi biseda ku fryma e dëshira e cdo njerit ishte që sa më parë të vetë organizohemi për të kryer atë cfarë kërkohet në një afat sa më të shkurtër. Arti, i cili ka dhënë një kontribut jo të vogël për demolimin e pastrimin e godinës që në fillim, u tha pjesëmarrësve se kjo punë na perket neve, bisneseve shqiptare këtu në Filadelfia, dhe unë mendoj se duhet të bëhemi të gjithë pjesë e kësaj fushate, me mundësitë që ka secili. Dikush mund të marrë përsipër kryesimin e grupeve të punës sipas specialiteteve, dikusht tjetër të jap ndihmesën me fuqi punëtore e ndonjë tjetër të kontribojë financiarisht. Të gjithë duhet të humbim nga pak kohë për ti dhënë emër komunitetit tonë, me një Qëndër model që do ndërtojmë e që afërsisht do të kërkojë rreth $ 250 – $300 mijë dollarë. Unë pranova të jem ligjërisht i ngarkuar në këtë punë, por në se dikush nga shokët nuk e shikon me vënd angazhimin tim këtu, unë tërhiqem. Por nuk kishte se si të mos mbështetej nga të gjithë shokët e miqtë tanë aty, duke ja njohur edhe aftësitë organizuese e patriotizmin që manifeston Arti. Ai kërkoj që të jemi konkret në angazhime. Dhe ashtu u procedua në vazhdim. Bisnesmenët Mexhit Koboci (i cili është i zgjedhur edhe anetar i kryesisë) e Roland Ismailanji, morën përsipër, që duke thithur edhe ndihmën e bisneseve të tjera të fushës elektrike, të përfundojnë totalisht këtë lloj servisi në object. Bedri Allaraj, premtoi të drejtojë punën për instalimin e sistemit të ngrohjes e të ftohjes, duke u bërë thirrje edhe shokëve te tjerë që nuk ishin të pranishëm, por që menaxhojnë bisnesin e kësaj fushe, të bëhemi bashkë për ta përfunduar sa me shpejt. Ndërsa për punimet hidraulike (plumbing), do të bisedohet me bisnesmenin e suksesshëm Ferhat Ferko, i cili për aresye të forta nuk ishte i pranishëm, që të udhëheqë punimet e këtij lloj duke bashkëpunuar edhe me të tjerë. Dëshirën për të ndihmuar në këtë process ka shprehur më parë edhe bisnesmeni Astrit Hoxha, i cili u kontaktua në telefon nga kryetari i shoqatës, dhe premtoi që me kompaninë e tij të përfundojë framing e objektit. Me një ndjenjë të lartë përgjegjësie diskutoi edhe dibrani me banim në Nju Xhersi, z.Imer Dedja, duke bërë thirrje që të angazhohemi të gjithë në këtë aksion atdhetar. Ai dhuroi një check prej një mijë dollarësh, që hapi këtë fushatë. Shumë të tjerë si Agim Bajrami, Bastri Bajo, Dhimo Xhorxhi, Eldion Pajollari, Defrim e Ajet Pajollari, Besim Fana, Sokol Allaraj, Gezim Tafa, Ruzhdi Karaj, Vullnet Agolli etj.. i dhanë mbështetje të fuqishme fushatës me diskutimet e mendimet e tyre, që do të kthehen në kontribut konkret në object.
Ky takim bashkëatdhetarësh, anëtar ose jo të shoqatës “Bijtë e Shqipes”, shprehu më së miri dëshirën e shqiptarëve për ti parë ato bashkë kudo, të lartësuar e të fuqishëm gjithmonë, e sidomos me një Qëndër dinjitoze që do të na bëjë të njihemi e të jemi të kërkuar.
Pra është koha ta përgatisim këtë Qëndër. Dhe mundësinë e kemi. Janë mbi 350 subjekte bisnesi të shqiptarëve në Filadelfia, që po rriten nëpërmjet punës së tyre të ndershme e të lodhëshme, sigurisht. Ndoshta të gjithë duhet ta ndjëjnë veten si detyrues, për të vendosur një tullë me kontributin e tyre në këtë projekt, për të qënë krenar nesër me të.
Kontributi është pjesë e brendshme e qënies tëe cdo shqiptari. Shumë prej tyre kanë dëshirë të madhe të shohin jo vetëm familjet, por edhe të gjithë komunitetin të jetë krenar me arritjet e tij. Kjo i shtyn një grup pensionistësh, anëtar e veprimtar të shoqatës, të jenë ndër kontribuesit e parë në cdo fushatë, qoftë për fatkeqësi, për tërmetin, për Godinën e re etj. Një pjesë e tyre ishin edhe në takimin me bisneset. Dukeshin plot deshirë për tu shprehur. Por nuk folën, për të mos ua prishur vrullin e bukur më të rinjve. Shtërnguan duart me to, ne shenjë urimi. E megjithatë nuk harruan që në fund, nga kursimet e tyre, të dhuronin dicka. Dhuruan pra, Sami Zaimaj $100, Lutfi Brami $100, Niko Bani $ 100, Hys Hasa $100, Vangjel Haxhistasa $100 e Eqerem Murataj $100 (dy te fundit nuk ishin present, por i dërguan dollarët) si dhe Llazar Vero $200.
Eshtë pak për ti falenderuar këta njerëz të mirë, dhe kjo nuk mjafton. Ata duhen ndjekur. Dhe këtë, bashkatdhetaret tanë e kanë bërë sa herë që u është kërkuar ndihma e tyre. Do ta bëjnë edhe këtë herë, sigurisht.
Ndërsa bisnesmenët do të mblidhen përsëri në mbrëmjen e dhurimit të fondeve që do të organizohet me dt 25 Mars 2023, e për të cilën do të këtë njoftim të vecantë.
Deri atëhere, gjithkush mund të dhurojë për godinën e re të shoqatës duke bërë pagesa me check ose para cash tek godina e shoqatës, ose nëpermjet aplikacionit Venmo për Bijtë e Shqipes Philadelphia ose online në llogarinë e shoqatës “Bijte e Shqipes”, të cilën do ta gjeni lehtësisht në WEB-in e saj http://www.xn--bijteshqipes-4eb.org/

Tajar DOMI
Filadelfia , 5 Mars 2023