May 21, 2024
Maqedoni

Bija e Sllupçanit, deputetja Safije Sadiki Shaini i drejtohet ashpër EVN-së!

Safije Sadiki Shaini i drejtohet EVN-së: Urgjentisht të sanoj të gjitha defektet me energjinë elektrike në Sllupçan
Deputetja e Alternativës, Safije Sadiki Shaini ka reaguar ndaj ngjarjeve të fundit në Sllupçan në lidhje me mos-furnizimin me energji elektrike.
Shaini, kërkon nga EVN-ja që në mënyrë urgjente të sanoj të gjitha defektet me energjinë elektrike.
Në vijim reagimi i plotë i deputetes së zonës numër 2:
Reagim në lidhje me gjendjen e jashtëzakonshme për ndërprerjen e energjisë elektrike ne fshatin Sllupçan, respektivisht në Komunën e Likovës.
Unë, Safije Sadiki Shaini, e lindur dhe e rritur në fshatin Sllupçan, njëkohësisht edhe deputete e zones, kërkoj urgjentisht, menjëherë, që EVN të riparojë/sanojë te gjitha defektet qe kanë te bëjnë me energjinë elektrike dhe gjithashtu kërkoj që të vazhdohet furnizimi me energji elektrike ne fshatin Sllupcan dhe në fshatrat tjerë të Komunës së e Likovës.
Energjia elektrike nuk është luks, është nevojë elementare jetësore dhe përditshmëri. Nuk ka arsye të mjaftueshme që të demtohen banorët e fshatit Sllupcan, duke përfshirë këtu amviserinë, fëmijët e vegjël, të sëmurët që në mungesë të energjisë elektrike i’u vështirësohet edhe më shumë gjendja e tyre shëndetësore.
Tashmë kur jemi edhe në muajt e verës ku fshati dhe zona presin gurbetqaret e shumë respektuar në vendlindje, duke pasur edhe dasma dhe ahengje, dhe mospasja e energjisë elektrike na pamundëson që ti kryejmë këto gazmende familjare me bashkatdhetarët tanë.
Sa i përket thirrjes së EVN-së se në Sllupcan harxhohet rrymë dhe nuk paguhet dhe se kjo shkakton dëm financiar, i’a rikujtoj EVN-së dhe shtetit, se Sllupçani dhe Komuna e Likovës, gjatë vitit 2001, ka pësuar aq shumë dëme njerëzore, me humbje jetë njerëzish dhe fëmijësh, me dëme materiale si shkatërrimi i pronave, dëme psikologjike dhe traumatike, ku edhe vetë bëj pjesë në këto dëme, dhe që asnjëherë nuk u kompensua nga shteti, edhe nëse EVN dhe shteti na thonë që për 100 vite të ardhshme mos të paguajmë rrymë, edhe ne kete rast nuk do ta kompensonin as për së afërmi dëmin e shkaktuar të vitit 2001.
I bëj thirrje EVN-së, që sa më shpejtë të vë në funksion furnizimin me energji elektrike dhe njëkohësisht të vazhdojë me negociatat me komision e zgjedhur nga fshati për arritjen e një marrëveshje, dhe deri sa të arrihet ajo marrëveshje, rryma nuk guxon te ndalet.
Sllupcani ka njerëz të mençur, të ditur dhe të aftë që dinë të ulen në tavolinë për të arritur marrëveshje. Ky është Sllupçani i vitit 2023, që është po ai i njëjti i vitit 2001.
p.s. edhe pse jam deputete e partisë Alternativa, ky reagim vjen si banore e fshatit dhe deputete e zonës, pa qëllime për politike ditore dhe partiake apo thjeshtë për poena politik.