Besimtarët ortodoksë rrëfejnë sjelljen e terroristëve serbë në Manastir: Na tmerruan dhe na plaçkitën!

Pelegrinët që ishin brenda Manastirit të Banjskës kur kishte shkëmbime zjarri mes policisë së Kosovës dhe sulmuesve të armatosur kanë rrëfyer momentet, që siç i kanë përshkruar ata, shumë të vështira që kaluan gjatë së dielës. Madje, ata tregojnë se kur sulmuesit e armatosur hynë në Manastir, ata grabitën gjësende të ndryshme nga pelegrinët.

Në një bisedë me Danasin, një nga pelegrinët ka thënë se të gjithë ishin të shqetësuar kur filloi konflikti.

Një pelegrin nga Novi Sadi ka treguar se kulmi i tensionit ishte kur sulmuesit e armatosur hynë dhe u vendosën për qëndrim në ambientet e Manastirit.

“Njerëzit tanë u trembën. Ata ishin duke ngrënë pas lutjes, kur KFOR-i dhe forcat policore shqiptare rrethuan manastirin. Kishin frikë se mos përfundonin peng ose vdisnin në shkëmbim zjarri”, ka thënë pelegrini nga Novi Sadi.

Ai tregon se si iu vodhën gjërat e ndryshme nga sulmuesit e armatosur.

“Gruas sime iu zhduk celulari, u zhdukën edhe disa sende të tjera të pelegrinëve, i grabitën ata persona të armatosur që normalisht nuk komunikonin fare me besimtarët tanë. Në një moment erdhi KFOR-i, por nuk e kuptoj pse ata [KFOR-i] e injoruan plotësisht grupin e armatosur që ishte ende aty me armë të gjata, por pasi i legjitimuan ata vetëm dolën jashtë”, ka rrëfyer tutje ky pelegrin.

Pelegrinët ishin për një udhëtim në manastirin e Rashkës kur vendosën të shkonin deri në Banjskë. Ata kishin planifikuar ta kalonin natën në Manastirin e Banjskës, por u doli të jetë, siç thonë ata, nata më e gjatë në jetën e tyre.

Të dielën, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin e Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë. Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit. Nga aksioni deri tash janë konfirmuar tre sulmues të vrarë e tetë të arrestuar. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë është thënë se kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.