Besimi: Obligacioni strukturor 10 vjeçar për konsolidim fiskal të komunave
Komunat do kenë mundësi për konsolidim financiar përmes obligacionit strukturor 10 vjeçar që do të lëshohet nga Ministria e Financave. Ky është njëri nga instrumentet që komunat do të kenë në dispozicion në rast të jostabilitetit financiar dhe rregullohet me Propozim ligjin për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për financimin e vetëqeverisjes lokale që u përgatit nga Ministria e Financave dhe u miratua nga Qeveria. Përveç kësaj, ndryshe nga më parë, në rast të financimit të jostabilitetit financiar, kryetari i komunës do të ketë si detyrim që të përgatisë Propozim plan për tejkalimin e jostabilitetit financiar, informoi ministri i Financave Fatmir Besimi në konferencën për shtyp, ku u prezantua ligji si pjesë e reformës për avancimin e decentralizimit fiskal në drejtim të së cilës Ministria e Financave punon që nga fillimi i këtij viti.
„Instrumenti i parë – Kredia e kushtëzuar, do të lëshohet nga Ministria e Financave. Kjo kredi është me kohëzgjatje deri në 10 vjet. Instrumenti i dytë – obligacioni komunal pa interes ka afat maturimi të njejtë si edhe instrumenti i parë deri në 10 vjet. Obligacioni komunal pa interes do të emetohet pas miratimit të akti për aprovimin e emetimit të letrave shtetërore me vlerë nga Komisioni i letrave me vlerë. Instrumenti i tretë – Obligacioni strukturor do të emetohet nga Ministria e Financave me kërkesë të komunës”, tha ministri i Financave, Fatmir Besimi.
Komuna për shfrytëzimin e njërit prej instrumenteve do të dorëzojë kërkesë në Ministrinë e Financave në bazë të Planit të masave për tejkalimin e jostabilitetit financiar. Kërkesa do të përfshijë të dhëna për vlerën e nevojshme të mjeteve financiare dhe mundësinë për shfrytëzimin e njërit prej instrumenteve.
Kundrejt detyrimit të mëparshëm të kryetarit të komunës, që të shpallë jostabilitet financiar, si parakusht për fillim të procedurës së jostabilitetit financiar të komunës dhe sipas ndryshimeve të propozuara të Ligjit, jostabiliteti financiar bëhet i plotëfuqishëm në ditën e plotësimit të njërit prej kushteve të përcaktuara me ligj, pa pritur miratimin e vendimit të kryetarit të komunës.
Menjëherë pas krijimit të jostabilitetit financiar, Këshilli i komunës me propozim të kryetarit të komunës, miraton Plan të masave për tejkalimin e jostabilitetit financiar. Masat pëfshijnë kufizimet e kryetarit sa i përket shfrytëzimit të mjeteve të komunës në disa baza në mënyrë të shfrytëzimit racional të mjeteve dhe tejkalimit të jostabilitetit financiar. Plani në mënyrë transparente publikohet në faqen e internetit të komunës me qëllim që të informohet publiku. Ministria e Financave do të monitorojë zbatimin e masave të planit.
Si pjesë të reformës për avancimin e decentralizimit fiskal dhe në drejtim të rritjes së disiplinës financiare të komunave, uljes së borxheve, janë paraparë masa për planifikim real të të hyrave dhe shpenzimeve të komunave, racionalizim të operacioneve dhe zvogëlim të shpenzimeve të panevojshme, shërbim të rregullt të detyrimeve, disiplinë më të madhe financiare, procedura për shpalljen e jostabilitetit financiar, emetim të obligacioneve komunale dhe analizë të detyrimeve ekzistuese të komunave dhe ndërmarrjeve publike.