Maqedoni

Besimi në vizitë pune në SHBA – takime në OKB, FMN dhe BB

Ministri i Financave, Fatmir Besimi nga sot deri më 15 prill 2023 do të jetë për vizitë pune në SHBA, ku do të takohet me përfaqësuesit e lartë në selinë e OKB-së, Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Gjatë vizitës së punës, ministri do të ketë takime me zëvendëssekretaren e përgjithshme të OKB-së, Amina Mohammed dhe drejtoreshën Rajonale për Evropën dhe Azinë Qendrore, Ivana Zhivkoviq, të cilët do të diskutojnë për përkrahjen që vendi merr nga kjo organizatë e rëndësishme ndërkombëtare në arritjen e qëllimeve zhvillimore, zhvillimin e qëndrueshëm, financimin e gjelbër, si dhe udhëzimet për përballimin e sfidave që rezultojnë nga kriza energjetike dhe e çmimeve.
Ministri i Financave, në kuadër të vizitës së punës, së bashku me guvernatoren e Bankës Popullore, Anita Angelovska Bezhoska, do të marrin pjesë në takimet pranverore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar në Washington.
Këto takime, të cilat në një vend mbledhin ministra, guvernatorë, përfaqësues të sektorit privat, organizatave të shoqërisë civile, ekspertë etj., ofrojnë mundësi për një numër të madh takimesh formale dhe joformale ndërmjet pjesëmarrësve.
Ministri i Financave, Fatmir Besimi në kuadër të Takimeve pranverore do të takohet me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bo Li, drejtorin e FMN-së për Evropë Alfred Kamer, drejtorin ekzekutiv të FMN-së, Paul Hilbers, si dhe me drejtorin alternativ ekzekutiv Luc Dresse. Ministri do të ketë takime në Washington edhe me përfaqësues të lartë të Bankës Botërore, duke përfshirë zëvendëskryetaren e re për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, Antonella Bassani dhe drejtorin ekzekutiv Kun Davidse.
Takimet janë mundësi për t’i shqyrtuar politikat dhe reformat e ndërmarra nga vendi në drejtim të arritjes së normave më të larta dhe të qëndrueshme të rritjes, planeve afatmesme, si dhe masave për përballimin e krizës.
Ministri do të ketë takime edhe me Brian McCauley – zëvendësndihmës sekretar për Evropën dhe Euroazinë në Thesarin e SHBA-së, i cili ofron ndihmë të rëndësishme teknike në përforcimin e menaxhimit të financave publike, efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies së financave publike.
Fokusi i Takimeve pranverore në Washington do të jenë sfidat me të cilat përballet bota, si mund të reagohet ndaj atyre sfidave duke promovuar rritjen dhe prosperitetin për të gjithë. Do të ketë shumë ngjarje dedikuar ekonomisë globale, zhvillimit ndërkombëtar dhe tregjeve financiare botërore.