BERZH: Maqedonia e Veriut këtë vit do të ketë rritje të BPV-së prej 2 për qind, më e ulëta në rajon
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka përditësuar parashikimet e saj ekonomike për rajonet që mbulon dhe vlerësimet për Maqedoninë e Veriut janë se rritja e BPV-së në vitin 2022 ishte 2.5 për qind, këtë vit do të jetë 2.0, ndërsa në periudhën në vijim 3.0 për qind.
Në këtë mënyrë, Maqedonia bashkë me Serbinë dhe BeH, do kenë rritjen më të ulët në rajon.
Siç njoftoi BERZH, vlerësimi për BPV-në e Maqedonisë për vitin 2022 është ulur për 0,2 për qind, ndërsa për këtë vit për 0,3 për qind në krahasim me raportin e fundit nga shtatori i vitit të kaluar.
Për rajonin e Ballkanit Perëndimor, vlerësohet se rritja e BPV-së vitin e kaluar ishte 3.0 për qind, këtë vit do të jetë 2.2 për qind dhe në vitin 2024 do të arrijë në 3.4 për qind.
Krahasuar me raportin dhe vlerësimin e fundit të BERZH-it nga shtatori, rritja e parashikuar e BPV-së për Ballkanin Perëndimor për këtë vit është ulur me 0.8 për qind, si pasojë e kërkesës së dobët të jashtme, inflacionit të lartë dhe kushteve më të shtrënguara financiare.