Shqipëri

Berisha nga çelja e fushatës për kryebashkiakun e Kukësit: Sekti i ‘Rilindjes’ po përzë shqiptarët nga vendi

Ish-kryeministri Sali Berisha ka çelur fushatën elektorale për zgjedhjet në bashkinë e Kukësit, të cilat do të ripërsëriten pas skandalit të ish-kryebashkiakut Gjici.

Berisha ka prezantuar kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Emri Vata, teksa komentoi operacionin “Metamorfoza”, ku mes të arrestuarve është edhe Xhevahir Lita, prokuror i qarkut të Kukësit.

Sipas asaj që tha Berisha, Xhevahir Lita në detyrën e Prokurorit ka nxirrte nga burgu Behar Bajrin, tjetër i arrestuar në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.

“Çfarë ndodh me ne? Largime masive, çmime stratosferike, vjedhje dhe vetëm vjedhje. Shndërrimi i pasurive tona në një mallkim të vërtetë. Çfarë ndodh me ne, kur bijtë tanë marrin gomonet, Edi Rama shkon për të parë film në kinema në Venecia. Kur bijtë tanë marrin gomonet, Edi Rama qarkullon me avionin e tij personal dhe shpenzon 23 mln euro.

Po a janë këto më të këqijat. Jo. Ju jeni njerëz politik, këto janë shfaqje, negative. Çfarë ndodh me ne. Ne vidhemi si asnjë qytetar tjetër në botë. Ndërtohet rruga Korçë-Ersekë me dy korsi dhe e ngushtë. Ajo që duhej të kushtonte 4 mln segmenti, shkon 40 mln euro.
Unaza e Tiranës ka nisur në 2010. Nga 2013 e deri më sot copëtohet lot mbas loti vetëm për të vjedhur, me 24 mln euro kilometri, dy herë më shumë se tuneli i Kërrabës, apo 70% më shumë se tuneli i Kalimashit.

Çfarë ndodh me ne. E dëgjoi që foli për Shpiragun. Sot falë asaj strategjie që ndërmorëm për ndërtimin e HEC-eve Shqipëria prodhon 2 terravat energji elektrike më shumë seç konsumon. Çfarë përfituat ju, çfarë përfituan shqiptarët, asgjë, përkundrazi, vetëm vjedhje dhe vetën vjedhje.
Po Shpiragu ka naftë, por ato çmime të suksesit që bën të vazhdojë janë të vitit 2012. Ajo fushë nafte është miratuar në vitin 2012. Po çfarë do të shofin shqiptarët prej saj nëse do të jetë Edi Rama, atë që shohin, atë që fituan me 2 terravat orë e energji elektrike të prodhuar më shumë. Asgjë. Përsëri këto janë shfaqje.

Ndoshta ndonjëri e ka njohur Xhevahir Litën, që nxirrte nga burgu Bajrin. Cili ishte Xhevahiri i SKAP-it? Problemi qëndron te liritë. A do ngrihemi në lartësinë tonë të idealeve. A do ngrihemi ne?”, u shpreh Berisha.