Kosovë

Berisha: Marrëveshja për lëvizjen e lirë të qytetarëve me Kosovën ishte qesharake, abetarja e përbashkët është bërë që në vitin 2012

Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar edhe marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës për rregullat e regjimit të trafikut lokal të kufirit.

Marrëveshja parashikonte që banorët do kenë mundësi të lëvizin lirshëm me leje kalimi të veçantë deri në 30 km në secilën anë të kufirit. Berisha e ka konsideruar qesharake këtë marrëveshje.

“Leja ishte qesharake. Qeveria shqiptare do bëjë gjithçka që dogana të largohet për qytetin e Kukësit, Hasin, Tropojën, Kukësin në Kalimash, për Nikaj Mërturin dhe zonën tjetër, por ju duhet dhe do qarkulloni pa doganë. Këtë nuk e bën një njeri shpirtkazmë si Rama. Po të kuptojë burimet e të ardhurave në këto zona, kjo është një gjë e domosdoshme. Në 2013 kur erdhi në qeveri si akt ndëshkimi në zonën e Tropojës hoqi 20 mijë familje nga ndihma ekonomike. Kjo e doganës do të merret parasysh. Rruga e Alpeve po se bëri PD nuk e bën askush atë rrugë, padiskutim që do bëhet”, u shpreh Berisha.

Ish-kryeministri Sali Berisha komentoi edhe marrëveshjen e firmosur së fundmi mes qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës për njohjen e ndërsjellët të diplomave dhe ambicien për të njësuar abetaren në të dyja vendet, njofton Top Channel.

Sa i përket kësaj marrëveshje, Berisha u shpreh se të dyja qeveritë kanë gënjyer si në Kosovë dhe Shqipëri, sepse abetarja është njësuar që në vitin 2012 dhe në kohën kur PS erdhi në pushtet, ish-kryeministri theksoi se Rama e sulmoi si njeri injorant.

“8 vite jo vetëm që ndaloi ora në Shqipëri, por ora shkoi mbrapa. Rama ndërsa zotohet të firmosë marrëveshjet pa dogana me Rusinë e vogël që është Serbia, nuk e bën këtë me Kosovën.

Çfarë ishte marrëveshja e fundit, e turpshme. Abetarja që nxorën këta dhe ky e sulmoi në 2014 kur erdhi në pushtet. E sulmoi si njeri injorant, primitiv. Abetarja ka hyrë në fuqi dhe në mbarë Kosovën është abetarja unike me Shqipërinë dhe që në vitin 2012 është bërë realitet.

Ata mashtruan. Mashtruan në Shqipëri, mashtruan në Kosovë dhe mashtrimet janë të turpshme. Kemi një detyrë shumë të madhe. Ajo është që këtë narkoshtet, ta përmbysim njëlloj siç përmbysëm diktaturën komuniste. Por për të realizuar këtë mision ne duhet të shndërrohemi në opozitë të vërtetë”, tha Berisha.