Berisha jep lajmin: Organizata më e madhe e partive të qendrës së djathtë miratoi rezolutën ku dënohet narkoregjimi i Ramës dhe burgosja e liderëve të opozitës
Në konferencën e përjavshme me gazetarët, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka dhënë lajmin se Organizata më e madhe e partive të qendrës së djathtë ka miratuar rezolutën ku dënon narkoregjimin e Edi Ramës në Tiranë, si dhe burgosjen e liderëve të opozitës. Berisha tha se, reforma e Xhorxh Sorosit merr një ndëshkim ndërkombëtar.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë konferencës me gazetarët e ka cilësuar si një fitore të opozitës, miratimin e rezolutës nga ana e Internacionales së Qendrës Demokratike, ku bëjnë pjesë 108 parti.
LEXO EDHE:
Gjoba 110 MILION EURO e Becchetit/ Ministri i Financave i pashqetësuar fare se si i përdor paratë e shqiptarëve: I kemi ndarë veç ato…
Duke komentuar buxhetin e vitit 2025, kryetari i PD-së, Sali Berisha u shpreh se, miliardat shkojnë tek Lubi Balluku, kurse pensionistëve u jep vetëm 16 mln euro, ose ndryshe, bonusi i blerjes së votave.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me premtimet elektorale të Edi Ramës se do të ju japë dy bonuse, kryedemokrati Sali Berisha tha se, këto janë para që ai ua ka vjedhur pensionistëve nga muaji mars deri në tetor. Sipas tij, protesta kundër buxhetit nesër në orën 17:00 do të zhvillohet.
I pyetur nga gazetarët për marrëdhëniet me ndërkombëtarët, Berisha është shprehur se, Partia Demokratike ka bisedime dhe takime me çdo ambasadë. Berisha u shpreh, se pavarësisht se këto takime nuk janë bërë publike, ato janë periodike.
Image
FJALA E PLOTE:
Këtë takim me ju do t’ia përkushtoja tërësisht problemit themelor që është buxheti, por do ta nis me një lajm shumë të rëndësishëm që sapo erdhi nga samiti i Internacionales së Qendrës Demokratike, organizatë që grupon 108 parti politike të qendrës, qendrës së djathtë.
Pra, organizata më e madhe gjer sot me një shtrirje planetare, nga parti në të katër anët e globit, miratuan para një ore rezolutën në të cilën dënohet narkoregjimi i Edi Ramës.
Miratuan rezolutën e paraqitur nga PD mbi situatën dramatike në Shqipëri.
Mbi dhunimin dhe farsën elektorale.
Mbi arrestimin dhe burgosjen e liderëve të opozitës si në asnjë vend tjetër në Europë.
Mbi lidhjet e qeverisë me mafien, drogën dhe krimin e organizuar.
Korrupsionin e papërmbajtur.
Mbi gjendjen dramatike të sistemit të drejtësisë.
Pra, reforma e Xhorxh Sorosit merr një ndëshkim ndërkombëtar.
Dënohet arrestimi i liderëve të opozitës, Sali Berishës, Ilir Metës, Fatmir Mediut, Ervin Salianjit, Fredi Belerit.
Shprehet mbështetje e plotë për PD-në dhe opozitën shqiptare.
Dënohen lidhjet e qeverisë me organizatat kriminale të Amerikës Latine dhe vendeve të tjera.
Por, ajo që është për të theksuar se krahas këtyre dënimeve të ashpra, në të njëjtën linjë kanë qenë diskutimet duke filluar që nga presidenti i CDI dhe personalitete të tjera botërore.
Është duartrokitur dhe mirëpritur diskutimi i përfaqësueset tonë në këtë organizatë, Albana Vokshi, e cila ka paraqitur aty me vërtetësi të gjithë gjendjen karikaturale të narkoshtetit shqiptar.
Diskutimit të zonjës Vokshi i janë referuar një seri diskutantësh ndër më kryesorë që kanë marrë fjalën me këtë rast.
Ne do ua shpërndajmë tekstin e rezolutës sapo ta përkthejmë.
E kemi në anglisht dhe po përkthehet dhe do u dërgohet ndërkohë të gjitha medieve.
Kjo është një fitore e madhe e opozitës shqiptare.
Është një fitore e madhe e demokracisë në Shqipëri.
Është një mbështetje e fuqishme që organizata më e madhe e partive të qendrës dhe qendrës së djathtë në botë u jep opozitarëve shqiptarë.
Mirënjohjen më të pakufishme ndaj të gjithë atyre që mbështetën pa asnjë rezervë dhe me vendosmëri rezolutën e PD, e shndërruan atë në rezolutë të internacionales ndërkombëtare të qendrës, më të madhes organizatë.
Përgëzime për punën që kanë bërë përfaqësuesit e PD, kryetarja e LDG, anëtarja e kryesisë Albana Vokshi dhe anëtari i kryesisë së PD, Belind Këlliçi.
Duke e mbyllur këtë njoftim për mediat, siguroj demokratët dhe popullin opozitar se propaganda, mashtrimi i kësaj narkoqeverie, se McGonigalët e korruptuar prej saj, do të shkrihen si bryma para diellit me të vërtetat që ne do paraqesim kudo në botë.
Dhe, jam i sigurt siç kam qenë gjithnjë se një diktaturë si çdo diktaturë tjetër, kjo e Tiranës i ka kohërat e numëruara.
Faleminderit!
Unë në fakt, konferencën e shtypit, takimin me ju e kisha thirrur për problemin themelor që po diskutohet këto ditë dhe që është buxheti më i madh në histori prej 8.2 miliardë eurosh, i cili në mënyrë tragjike, në vend se të jetë njëkohësisht dhe buxheti i mbështetjes më të madhe për qytetarët, është buxheti i vjedhjes më të madhe në historinë e vendit.
I adresimit të 90 përqind të fondeve drejt duarve të zeza të qeveritarëve.
Drejt Lubi Ballukut, që ndan 13 kilometra rrugë në 14 kontrata për të vjedhur 14 herë.
Ka hyrë në Gines kjo hajdute shpifarake që nuk njeh standard dhe moral dhe që një vepër prej 27 kilometra rrugë, vazhdon ta vjedhë dhe ta vjedhë nga viti 2013 gjer sot.
Rikujtoj ju të nderuar gazetarë dhe mbarë shqiptarët se autostrada Tiranë-Elbasan përveç segmentit Farkë-Ibë, në 30 kilometrat e tjera ka përfunduar në 18 muaj, bashkë me tunelin, me kalime të ndara vajtje dhe ardhje.
Kurse unaza Rama-Balluku vazhdon prej 15 vitesh dhe gjatë kësaj kohe janë firmosur 14 kontrata për 13 km se duam ta mbajmë më shpejt, thotë hajdute Balluku, që mbrohet nga një bandë e Skrapit.
Po Rruga e Kombit, 64 kilometra që përfundoi në dy vite e gjysëm?
Po Rruga e Bregut, 70 kilometra që përfundoi në dy vite?
Po nuk i ndanim në llokma, ne paguanim tenderin në të gjithë segmentin dhe kërkonim respektimin e afatit.
Pra, ky buxhet që shkon miliarda tek Lubi Balluku, shkon gjithsej me 40 milionë tek 40 përqind e popullatës që jeton në fshat.
Ky buxhet që shkon miliarda tek Lubi Balluku dhe lubitë e tjera të qeverisë, lë gjithsej për rrjetin rrugor mbi 12 mijë kilometra të asfaltuara, lë gjithsej 30 milionë dollarë për mirëmbajtje.
Ky buxhet në mënyrën më cinike nuk pasqyron asnjë rritje rrogash dhe pensionesh, parashikon 16 milionë euro për pensionistët dhe bonusin e blerjes së votës.
Pra, për të adresuar problemet themelore të këtij buxheti, grupi parlamentar i PD paraqet si kryeamendament, minimumin jetik 200 euro për çdo shqiptar.
2. Rritja e pensioneve dhe pesëfishimin e fondit për rritjen e tyre, pra nga 16 mln euro në 80 mln euro.
3. Trefishimi i fondeve për të përndjekurit politikë, (nga 1.2 miliardë leke në 4.2 miliardë lekë).
4. Rritja me 1% të PBB-se të buxhetit të arsimit (dhe rritje graduale me 1% çdo vit derisa të arrijë në shifrën 5 përqind).
5. Rritja me 1% te PBB-se të buxhetit të shëndetësisë (rritje graduale me 1% çdo vit gjer në shifrën 5 përqind).
6. Rritje me 50% të fondeve për barnat e rimbursueshme (60 mln euro shtesë). Kanë hequr nga rimbursimi ilaçet jetike, sidomos për pensionistët dhe të tjerë.
7. Pezullimi i menjëhershëm i të gjitha pagesave buxhetore për PPP-të në shëndetësi (përveç dializës).
8. Rritja me 10% e pagave të gjithë administrates publike (përveç pagave të larta).
9. Rritje me 20% të pagave të mësuesve dhe pedagogëve, mjekëve dhe infermierëve.
10. Fondi për kërkimin shkencor rritet në 20 milionë euro.
11. Rritja e transfertës së pakushtëzuar për bashkitë me një shtesë prej 130 milionë euro.
12. Mbështetje e prodhimit vendas me 50 mln euro.
13. Katërfishim i subvencionit për fermerët, blegtorët dhe agroindustrinë, nga 30 në 120 mln euro.
14. Rritja jo më pak se 15 mln euro shtesë fondeve për Spitalin Onkologjik duke vendosur 10 përqind të akcizës.
15. Përgjysmimi i shpenzimeve operative të qeverisjes qendrore dhe vendore (pa cenuar shpenzimet jetike, të sigurisë dhe vendimet gjyqësore të formës së prerë).
16. Trefishimi i fondeve për mirëmbajtjen e rrugëve.
Kjo është fytyra e buxhetit që paraqet sot PD në parlament.
Me këtë buxhet, të dashur qytetarë, nuk kemi lënë asnjë vepër publike pa vazhduar punën, por së pari kemi barazuar apo kemi përparësuar investimin në radhë tek njeriu dhe pastaj te kapitali fizik.
Së dyti, pjesëtohet me 10 çmimi i ndërtimit të rrugëve dhe punëve të tjera publike dhe
parashikohet çmimi mesatar i ndërtimit si në vendet e BE.