May 18, 2024
Kosovë

Bëri homazhe në Prekaz, policia serbe ndal në kufi vajzën e Sanduloviqit

Vajza e politikanit serb Nikola Sanduloviq, Klara, që të shtunën bëri homazhe në Prekaz, është ndalur nga Policia e Serbisë në pikëkalimin kufitar të Merdarit.

Kryetari i Partisë Republikane Serbe, ka njoftuar përmes një postimi në platformën X se Klara Sanduloviqit, nuk i është lejuar kthimi në Serbi.

“Regjimi diktatorial i Aleksandar Vuçiqit vazhdon ta persekutojë vajzën time, Klarën. Policia po e mban atë dhe zyrtarët e Partisë Republikane në pikëkalimin kufitar të Merdarit dhe nuk po i lejojnë të hyjnë në Serbi”, ka shkruar ai.

Gjatë ditës, Klara Sanduloviq bëri homazhe te varrezat e Jasharëve në Prekaz.

“Të respektojmë që të mos përsëritet më”, ishte mesazhi i shkruar që ajo la te varri i Blerina Jasharit.

Ndryshe, politikani opozitar serb, Nikola Sanduloviq, javë më parë është rrahur brutalisht nga shërbimi sekret serb.

Sipas familjes dhe avokatit të tij, arsyeja ishte një postim i tij në X duke bërë homazhe te varrezat e familjes Jashari në Prekaz, duke thënë se është i vetmi politikan nga Serbia që nderoi viktimat e pafajshme shqiptare.