Bekteshi: Qyteti i Shkupit dhe komunat brenda qytetit të paktën të paguajnë faturat e ngrohjes për muajin dhjetor
“Dua t’i bëj thirrje Qytetit të Shkupit dhe komunave brenda qytetit të Shkupit që së paku të paguajnë faturat e ngrohjes për muajin dhjetor sepse deri më sot nuk e kanë bërë këtë. “Minimumi që mund të bëjnë është të paguajnë faturat e ngrohjes”, tha ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi në paraqitjen e sontme në lajmet e Televizionit Sitel.
Siç informoi ministri Bekteshi, Qyteti i Shkupit dhe komunat në pajtim me Ligjin për Energjetikë dhe Ligjin për Veprimtari Komunale janë të obliguara që të ofrojnë siguri në furnizimin me ngrohje për qytetarët, për çka duhet të jenë të përgatitur në kuadër të Buxhetit të tyre të miratuar në fund të vitit të kaluar, kur tashmë ishte shpallur kriza energjetike, për të siguruar fonde dhe për të plotësuar nevojat e qytetarëve.
“Nëse Qyteti i Shkupit dhe komunat në kuadër të qytetit të Shkupit nuk janë të gatshëm të mbulojnë 20% të diferencës nga çmimi aktual në atë real të ngrohjes, siç është propozuar nga Qeveria, atëherë jemi të gatshëm të mbulojmë plotësisht ose 100% këtë dallim”, tha Bekteshi.
Në pyetjen se çfarë do të ndodhë nëse BEG nuk pajtohet me këtë propozim, ministri Bekteshi tha se Qeveria do të shfrytëzojë të gjitha mundësitë ligjore që ka në dispozicion, që do të thotë nëse është e nevojshme edhe heqja e licencës së punës dhe emërim të menaxhmentit të përkohshëm.
“Ende jemi në pritje të përgjigjes nga kompanitë që kanë licenca për prodhimin, shpërndarjen dhe furnizimin me ngrohje, për të cilën nesër Qeveria do të marrë një vendim përfundimtar që do të propozohet nga Komisioni i ngritur për monitorimin e situatës me krizën” – ka thënë ministri Bekteshi, duke shtuar se do të merret vendim që TE-TO të funksionojë plotësisht, pra të punohet gjatë fundjavës, të prodhohet rrymë dhe ngrohje gjatë gjithë javës.
Ministri Bekteshi i bëri thirrje qytetit të Shkupit, komunave dhe të gjitha institucioneve që në kohë të tilla krize të solidarizohen dhe t’u përgjigjen nevojave të qytetarëve.