VIDEO/ Në selinë e PD do ndërtohen kulla, projekti zbulohet nga MGS Archicteture

Mediat kanë zbuluar projektin që parashikon ndërtimin e tre kullave gjigante në truallin ku ndodhet selia e Partisë Demokratike. Deputeti Lulzim Basha nxitoi të mohonte projektin, duke akuzuar ish-kryeministrin Berisha se po nxjerr në media lajme të sajuara. Por Sali Berisha e përgënjeshtroi këtë reagim, duke u shprehur se projekti i kullave së bashku me atë të portit të Durrësit, bashkon në aferë të përbashkët korruptive Lulzim Bashën me Edi Ramën

Trualli ku ndodhet sot selia e Partisë Demokratike do të përdoret për ndërtuar një kompleks me kulla të larta, projekti i të cilave është publikuar në sajtin Modern Green Structures Architecture. Projekti parashikon ndërtimin e tre kullave gjigante në truallin aktual të selisë së Partisë Demokratike. Ndërkohë që pas publikimit në media deputeti Luzlim Basha bëri një deklaratë nëpërmjet zyrës së shtypit ku mohonte projektin dhe akuzonte ish-kryeministrin Berisha se kishte përhapur këtë lajm. Por lideri historik i demokratëve përgënjeshtroi deklaratën e dalë nga zyra e shtypit e deputetit Basha, duke u shprehur:

“Lul Brava ne mediat qe paguan po kerkon te pergenjeshtojë lajmin e botuar në mediat e vendit për një kompleks gjigand e luksoz kullash, i cili e zhduk selinë e PD nga aty ku ndodhet, duke thënë se ai projekt është firmosur nga unë në 2013. Projekti që unë kam firmosur është ai i Xhamisë së Madhe, fillimi i punimeve të së cilës u inaugurua në atë kohë në prani të qindra besimtarëve dhe nuk prekte selinë dhe as oborrin e PD. Projekti që zbuluan mediat sot e zhduk selinë e PD, sepse do ndërtohet aty ku është sot selia e PD, te SHQUP.

Më tej ish-kryeministri Berisha shprehet se projekti i kullave në selinë e Partisë Demokratike, së bashku me atë të Portit të Durrësit bëjnë përsëri bashkë Lulzim Bashën dhe Edi Ramën në aferë të pastër korruptive.

Përveç Portit të Durrësit, projekti për ndërtimin e kullave të PD i bën prapë bashkë Ramën dhe Bashën. Duke dënuar këtë aferë të pastër korruptive kriminale Rama – Basha, paralajmëroj këta bashkëhajdutë se selia e PD është tempulli i demokratëve shqiptarë dhe kurrë nuk mund të tjetërsohet nga bandat e narkoshtetit shqiptar!

Projekti për ndërtimin e kullave parashikon jo vetëm zbatimin në tokën ku ndodhet selia e Partisë Demokratike, por edhe në prona të tjera përrreth.