Maqedoni

Bekteshi: Marzhet e kufizuara për produktet ushqimore bazë mbeten deri në fund të prillit 2023

Me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, Qeveria në seancën e sotme ka marrë vendim për vazhdimin e kohëzgjatjes së masës për kufizimin e marzhit të produkteve ushqimore bazë.

Sipas Vendimit, kjo masë do të zbatohet deri më 30 prill 2023.

“Duke pasur parasysh se ky Vendim kufizon rritjen e çmimeve duke përcaktuar sasinë e marzhit tregtar që duhet të ndikojë në rritjen e çmimeve me pakicë të produkteve ushqimore bazë, dhe gjendja e tregut tregon se çmimet nuk janë të stabilizuara, nevoja për vazhdimin e afatit për zbatim është deri më 30 prill 2023.Krahas kësaj, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka mundësuar shfrytëzimin e energjisë elektrike të subvencionuar nga 1 dhjetori i këtij viti për prodhuesit vendorë të produkteve ushqimore bazë, përderisa zgjat gjendja e krizës në furnizimin e pandërprerë me energji elektrike. Qëllimi është që të kemi subvencionim të energjisë elektrike për prodhuesit vendas dhe një marzh tregtar të rregulluar, të kemi çmime të korrigjuara në treg”, ka shkruar ministri Bekteshi në profilin e tij në Facebook.

Në masë do të vazhdojnë të përfshihen këto produkte: – bukë e bardhë; prerë në copa ose të tëra; sheqer i bardhë dhe vaj luledielli ushqimor (pa vaj të shtypur të ftohtë) me një marzh tregtar 5% për shitësit me shumicë (këtu janë edhe prodhuesit) dhe shitës me pakicë.

Pastaj për miell prej gruri – lloji 400 dhe lloji 500; makarona dhe shpageta me grurë të fortë; oriz i bardhë vendor, qumësht lope i përhershëm me përmbajtje yndyre 2,8%, 3,2% dhe 3,5%; vezë; gjizë; djathë i bardhë i lopës dhe djathë i bardhë i përzier; gjizë; qumësht kosi, ajkë dhe jogurt me një marzh tregtar 10% për shitësit me shumicë (këtu janë edhe prodhuesit) dhe shitës me pakicë.