Bekteshi: Buka në Shkup më e shtrenjtë se në qytetet tjera
Në qytetin e Shkupit në fushën e prodhimit të bukës janë bashkuar katër, maksimumi pesë kompani dhe përcaktojnë çmimet me të cilat e shpërndajnë dhe shesin bukën në supermarketet e mëdha, konsideron ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, transmeton Portalb.mk.
Ministri thotë se ky është qëndrimi i tij personal dhe i bën thirrje Komisionit të mbrojtjes së konkurrencës që ta hetojë rastin.
Në brendësi të vendit, shton ai, çmimet janë më të ulëta se 32 denarë.
“Si Ministri e Ekonomisë, nuk do të lejojmë një punë të tillë përderisa kemi mekanizma për të vepruar në përputhje me Ligjin për tregti. Këtu nuk ka asgjë të diskutueshme, duke pasur parasysh se neni 29 dhe neni 30 janë vendimtar – që në situata të caktuara Ministria e Ekonomisë mund t’i propozojë Qeverisë kufizime ose detyrime të tilla dhe se një nga masat mund të jetë ngrirja ose përcaktimi i çmimit më të lartë për një produkt të caktuar”, thotë Bektesi në intervistën javore në Radion Evropa e Lirë.
Pas vendimit të Qeverisë për ngrirje të çmimit të bukës në 33 denarë, disa kompani nuk i ulën çmimet dhe Inspektorati Shtetëror i Tregut javën e kaluar ka realizuar 300 kontrolle dhe ka lëshuar urdhërpagesa për objektet tregtare në vlerë prej 960.000 denarë, apo mbi 15 mijë euro.
Drejtori i ISHT, Goran Trajkovski, informoi edhe se javën e kaluar Inspektorati Shtetëror i Tregut ka realizuar 750 mbikëqyrje në objekte tregtare në territorin e gjithë Maqedonisë.
“Janë lëshuar mbi 65 udhërpagesa në vlerë prej mbi 3 milionë euro”, informoi ai.
Qeveria në seancën e 28 shkurtit uli çmimet e pastave për 15 përqind, në raport me çmimet që i kanë pasur këto produkte më 1 mars të këtij viti. Më tej, për 10 përqind është ulur çmimi i qumështit të lopës me yndyra prej 2,8 %, 3,2%, gjizës, djathit të bardhë të lopës dhe djathit të bardhë të përzier, kashkavallit të lopës, kosit dhe jogurtit.
Nga ISHT deklarua se, dënimet për mosrespektimin e vendimit qeveritar për uljen e çmimeve të pastave dhe produkteve qumështore do të jetën prej 800 deri në 10 mijë euro, varësisht nga lloji i madhësisë së operatorit ekonomik.