Bekim Sali: Visar Ganiu ka mashtruar për garazhet në kate në këtë hapësirë dhe as nuk tregon ku janë 18 milionë euro
Të nderuar qytetarë, pasi që tashmë e kemi shpalosur master-planin tonë për Çairin e Ri, sot jemi këtu që t’jua kujtojmë se çfarë kishte premtuar kundërkandidati ynë në fushatën parazgjedhor në vitin 2017.
Siç e shihni edhe vet, këtu pas nesh është parkingu i ndërtesave që ne i quajmë “Çairçania”. Pikërisht këtu në vitin 2017 Visar Ganiu kishte premtuar një garazh në kate për 100 makina me vlerë prej 1 milion e 317 mijë euro. Siç e shihni, këtu nga viti 2017 nuk ka ndryshuar asgjë. Kemi rrëmujën e njëjtë dhe problemin e njëjtë të qytetarëve të Seravës dhe të Gazi Babës.
Në të vërtetë, në faqen 6 të Kontratës së tij, kandidati për kryetar të Çairit dhe kryetari i deritanishëm i Çairit, Visar Ganiu, më 2017 parkingje të këtilla kishte premtuar edhe te Sahat Kulla, te Teatri Shqiptar dhe te sheshi Skënderbej. Premtimi i tij ka qenë se do të gjejë zgjidhje parkingu për 732 makina me garazhe që ai i kishte vlerësuar në 18 milionë e 800 mijë euro.
Prandaj, sot kur janë bërë katër vjet, kur hapësirat janë të njëjta, kur mungojnë garazhet, kur parkingu është problemi më i madh në Çair, unë i kam për të tri pyetje:
1. Cila është përgjegjësia e tij politike që ka mashtruar me këtë premtim?
2. Ku kanë përfunduar këto 18 milionë euro të parapara për garazhe?
3. Pse duhet t’i besojnë qytetarët edhe një herë një njeriu që ka mashtruar dhe që nuk tregon se në çfarë xhepa kanë përfunduar paratë për parkingje?
Kush mashtron një herë, gjithë jetën mbetet mashtrues dhe ai nuk e meriton besimin qytetarëve.
Për t’ua rikujtuar, në master-planin tim për Çairi e Ri kam premtuar që, përmes garazheve nëntokësore dhe riorganizimin e hapësirave aktuale për parkim, deri në fund të mandatit tim do të siguroj 1.700 vende parkimi.
Bekim Sali
Kandidat për kryetar të Komunës së Çairit