May 15, 2024
Maqedoni

Bekim Sali: Vetëm Master Plani është zgjidhje për kaosin në Çair

Kandidati i Alternativës dhe Aleancës për Shqiptarët për Komunën e Çairit Bekim Sali tha se zgjidhja e vetme për normalizimin e Çairit dhe kthimin nga kaosi ku e ka futur BDI-ja është Master Plani që ai e propozon.

“Kaosi në ndërtim ka shkaktuar një situatë kur urbanizmi nuk mund të kthehet në gjendje normale. Master Plani për Çairin e Ri është zgjidhja e vetme sipas nesh, e cila garanton një jetë të dinjitetshme në Çair, që garanton planëfikim të mirë hapësinor, për jetën sociale, për zhvillimin e gjeneratave të reja, për numrin e shkollave, për numrin e çerdheve, për klasat e nevojshme, për hapësirat e përbashkëta shoqërore si parqe, hapësira socializimi e kështu me radhë”, deklaroi Bekim Sali.

Lidhur me premtimet e Visar Ganiut, Bekim Sali tha se duke e parë dinamikën e punës së Ganiut, ai do ta çojë edhe këtë mandat vetëm me fjalë dhe pa bërë asnjë punë.

“Sipas dinamikës të punës së z. Ganiu, mandati i ardhshëm do të jetë përsëri planifikim, miratim, planifikim, miratim…, por jo edhe realizim të shumëpritur. Andaj ne jemi futur në këtë garë për të thënë se Çairit i duhet një Master Plan për zgjidhjen e problemeve”, tha më tej Bekim Sali.