Bekim Sali sjell një lajm të mirë për Spitalin e Kërçovës
Qeveria në seancën e djeshme miratoi propozim-buxhetin për vitin 2023, Buxheti nga ana e shpenzimeve pritet të jetë 324,8 miliardë denarë, të hyrat të jenë 282,05 miliardë denarë, kurse deficiti vlerësohet në 42,75 miliardë denarë. Sipas projektimit, në 2023-tën parashihet nivel rekord i investimeve kapitale prej 795 milionë eurove, ose për 52,3% më shumë në krahasim me këtë vit. Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali ka njoftuar se me këtë buxhet, për spitalin e Kërçovës janë paraparë 60 milionë denarë, investim që do të permirësojë gjendjen e mjerueshme në këtë spital.
Spitali i Kërçovës me dekada është lënë pas dore, kurse këtë e shprehu qartë para ca kohe edhe vetë kryetari i komunës Fatmir Dehari.
“Ja ku po ju them nga kjo studio, unë nuk do të pres më në mandatin tim një ministër tjetër për t’u fotografuar në spitalin e Kërçovës. Unë do të pres vetëm me një kusht, ministër që do të presi shiritin e inaugurimit të spitalit. E ndjej veten pergjegjës për relaizimin e këtij projekti edhe pse nuk varet nga unë. Kanë kaluar shumë ministra dhe asgjë nuk është bërë”, tha Dehari në Tv21, duke shprehur mllefin e tij për premtimet e rrejshme që janë dhënë vitet e kaluara.