Sport

Befason WBC, Fjuri mund vet të zgjedh kundërshtarin

World Boxing Council (WBC) ka befasuar me vendimin e saj të fundit. Ndryshe nga sa pritej, ajo nuk ka urdhëruar që Tajson Fjuri, kampion bote në peshën e rëndë në këtë kategori, të duelojë me Dillian Uajt, që mban titullin e përkohshëm.

Kur të gjithë prisnin që dy boksierët britanikë të kryqëzonin dorezat pranverën e ardhshme, WBC ka vendosur që të jetë vetë Fjuri, të zgjedhë rivalin e tij të radhës.

WBC ka frikë se mos Fjuri heq dorë dhe nxjerr vakant titullin kampion, duke qenë se ai dëshiron të duelojë me fituesin e revanshit Xhoshua-Usyk. Është e qartë që Dillian Uajt nuk ka famën e Fjurit, që garanton të ardhura të mira për WBC.

Të gjithë presin që Fury të duelojë me Joshua, një sfidë që mund të gjenerojë deri në 100 milionë dollarë nga sponsorët e biletat. Për këtë arsye, Dillian Uajt është lënë në pritje dhe do të jetë vetë Tajson Fjuri që do të vendosë.