Maqedoni

BDI, VMRO dhe Pavle Trajanovi bëhen bashkë kundër idesë së Alternativës

“Asocacioni i Komunave Shqiptare në RMV”/ Ademi: Patetike, antiamerikane dhe antieuropiane

Nënkryetari i BDI-së, njëherazi edhe kryetar i grupit parlamentar të Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, propozimin e Alternativës për Asociacionin e Komunave Shqiptare në RMV e ka quajtur propozim patetik, antiamerikan dhe antieuropian i cili shkon në dëm të zgjidhjes përfundimtare të çështjes së Kosovës.

Ai pohoi se këto janë përpjekjet e dështuar për mbijetesë të Alternativës në skenën politike pas fiaskos së përjetuar dhe rreshtim tërësisht të gabuar dhe destruktiv të saj.

Partia Alternativa gjatë ditës së djeshme propozoi që në Maqedoninë e Veriut të fillohet një nismë për “Asociacion të komunave me shumicë shqiptare”, njëjtë si ajo që po kërkohet të bëhet në Kosovë. Në një kumtesë dërguar mediave, e që në fund mban emrin e sekretarit gjeneral të Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, shkruhet se në kohën që Kosova gjendet para marrëveshjes finale për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe kur secili diplomat perëndimor që vjen në Prishtinë e përsërit refrenin të bëhet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, pyetja që duhet të shtrohet, sipas Alternativës, është se pse partitë shqiptare në Maqedoni që kanë komuna, si BDI, ASh dhe Besa, nuk e ngrenë një iniciativë për themelimin e Asociacionit të komunave shqiptare po me ato kompetenca që bashkësia ndërkombëtare kërkon t’i ketë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Mickoski kërcënon Alternativën

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka komentuar propozimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Alternativës, Zeqirija Ibrahimi i cili gjatë ditës ka propozuar që në Maqedoninë e Veriut të formohet “Asociacioni i Komunave më Shumicë Shqiptare në Maqedoninë e Veriut!”. Mickoski ka kërcënuar duke thënë se politikanët duhet të kenë kujdes me propozimet që i japin.
“Në Maqedoni një pjesë e kushtetutës është Marrëveshja e Ohrit. Marrëveshja e Ohrit e garanton karakterin unitar të Maqedonisë. Nëse ka parti politik në Maqedoni të cilat dëshirojnë ta braktisin Marrëveshjen e Ohrit, atëherë duhet të thonë qartë para gjithë opinionit, se ata nuk e pranojnë Marrëveshjen e Ohrit, pas të cilit qëndrojnë si garantues e tërë bashkësia ndërkombëtare dhe se ata nesër atë marrëveshje nuk do ta respektojnë. Unë i paralajmërojë politikanët në Maqedoni të kenë kujdes, të mos i ndezin tensionet ndëretnike, ngase Maqedonia është shtet multietnik, dhe me sjellje të këtillë të papërgjegjshme mund vetëm t’i ndezin këto tensione dhe si të tillë të sjellin një numër të madh të problemeve për të gjithë qytetarët. Unë edhe një herë i paralajmëroj për veprim të matur, shtetëror dhe të përgjegjshëm, dhe në vend që të komentojmë projekte politike unë dëshirojë të bëjmë betejë me krimin dhe kriminelët të punojmë për arsim më të mirë, shëndetësi, më tepër para për pensionerët, më tepër mundësi për të rinjtë, më tepër investime, në vend që të kthehemi në disa procese mbrapa”, ka deklaruar Mickoski.
Sipas tij Maqedonia është shtet unitar dhe pas saj qëndron faktori ndërkombëtar.

Lidhja Demokratike e Trajanovit– idetë e Alternativës janë destabilizuese

Formimi i Bashkësisë së komunave shqiptare në Maqedoninë e Veriut, për çka angazhohet partia Alternativa, vetëm disa ditë pasi u përjashtua nga koalicioni qeveritar, sipas Lidhjes Demokratike, do të thotë federalizim i Maqedonisë së Veriut, sipas shembullit të bashkësisë së komunave të Serbëve në Kosovë. Kjo është “retorikë nacionaliste dhe kërcënim serioz për marrëdhëniet ndëretnike në vend dhe mbulim i krimit, me çka në mënyrë të drejtpërdrejtë rrezikohet perspektiva eurointegruese në dobi të Moskës”, thuhet në njoftimin e sotëm të partisë.

“Destabilizimi i Maqedonisë së Veriut do të thotë edhe destabilizim i Ballkanit që është strategji dhe qëllim kryesor i Rusisë, si dhe i nacionalistëve në Bullgari. Krahasimi me Kosovën është absolutisht i pasaktë dhe nuk ka asnjë ngjajshmëri”, thonë nga Lidhja Demokratike.

Lidhja Demokratike shton se ngjarjet rreth pavarësisë së Kosovës dhe kriza ndëretnike e vitit 2001 e kanë kthyer vendin me dekada pas dhe për këtë arsye tani bën thirrje për maturi dhe përgjegjësi , respektim të dallimeve dhe përforcim të institucioneve demokratike, luftë kundër korrupsionit dhe kohezion të brendshëm e stabilitet.

Lidhja Social Demokrate këtë e konsideron si joserioze dhe tentativë të Alternativas për të fituar pikë politike.

“Konsiderojmë që kjo është një kërkesë e papranueshme, bëhet fjalë për një kërkesë me anë të së cilës struktura të posaçme politike tentojnë të përfitojnë një pjesë të trupit votues. Megjithatë, kjo është tërësisht joserioze dhe në asnjë mënyrë nuk mund të krahasohet situata jonë me atë në Kosovë sepse në bazë të ligjit për vetëqeverisje lokale, ligjit për bashkëpunim mes komunave, bashkëpunimi mes komunave në shtetin tonë është absolutisht e mundshme”, tha Sanella Shkrielj.