Maqedoni

BDI nesër prezanton 18 kandidatët, për herë të parë i ka caktuar Artan Grubi e jo Ali Ahmeti!?

Kryetari Ali Ahmeti në mbledhjen e nesërme të kryesisë qendrore të BDI-së, që do të mbahet në Gostivar, do t’i prezantojë 18 kandidatët për kryetar komunash në zgjedhjet lokale që po vijnë, paralajmëroi sot zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, Ai theksoi se, qytetarët në pajtueshmëri me bindjet e tyre do të vendosin se për kë do ta japin votën e tyre në rrethin e dytë nëse ka komuna në të cilat do të garojnë kandidatë nga BDI dhe BESA dhe tha se pret që ajo të ndodhë rrallë.

I pyetur se çfarë fushate pret prej kundërshtarëve politik, Grubi tha se, bëhet fjalë për një koalicion shumë jokarakteristik.

“Ai është koalicion i ndarjeve dhe jo i unifikimit, koalicion i Shkupi 2014 dhe jo të një Shkupi të plotë dhe të përbashkët. Mezi pres ta shoh ditën kur të gjithë votuesit e Aleancës me gjithë zemër, entuziazëm dhe dashuri do të votojnë për VMRO – DPMNE-në e Nikolla Gruevskit dhe Hristijan Mickoskit dhe të kundërtën të gjithë patriotët e VMRO – DPMNE-së, të gjithë që hynën në Kuvend më 27 prill dhe të gjithë që e mbështesin Shkupi 2014 do të votojnë me bindje të madhe dhe gjithë zemër për Ziadin Selën dhe Aleancën”, tha Grubi.

Partitë në pushtet, Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) tashmë kanë bërë të ditur se në shumë komuna do ta mbështesin njëra-tjetrën, që në rrethin e parë zgjedhor, ndërsa në Shkup do të kenë kandidat të përbashkët.

Burime partiake në BDI thonë se risi e ketyre zgjedhjeve është se për herë të parë që nga themelimi, kandidatët e BDI-së nuk i ka caktuar Ali Ahmeti, por sekretari gjeneral, Artan Grubi.