BDI me 4 doktorë shkencash në Qeveri, vetëm Jeton Shaqiri ka doktoruar para se të bëhet funksionar
Prej 6 ministrave në përbërjen qeveritare nga Bashkimi Demokratik për Integrim, katër janë doktorë shkencash. Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi, Ministri i Financave Fatmir Besimi, Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani si dhe Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jeton Shaqiri, të gjithë kanë titullin doktor shkencash, transmeton TetovaSot.
Siç njoftojnë vetë burime nga BDI, vetëm Jeton Shaqiri ka doktoriar para se të bëhet funksionar, kurse Besimi, Osmani dhe Grubi kanë doktoruar pasi kanë marë poste deputetësh ose ministrash, ose post të lartë në parti, thonë ata për portalin Lideri.mk.
Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi Diplomoi në Fakultetin juridik “Justinijani i Parë” pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, ku dhe mori titullin gazetar i diplomuar. Në të njejtin fakultet i mbaroi studimet postdiplomike në sferën e mediave dhe komunikimeve në temën “Roli i mediave të reja në shoqëritë në tranzicion”. Grubi doktoroi në Fakultetin e shkencave sociale – shkenca politike pranë Universitetit Shtetëror të Tiranës në temën “Roli i mediave në pjesëmarrjen qytetare në ndryshimet politiko – shoqërore.
Ministri i Financave Fatmir Besimi ka kryer Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Shën Kirilit dhe Metodit në drejtimin e “Financave dhe Bankave” në vitin 1998 në Shkup. Studimet postdiplomike për ekonomi i ka mbaruar në Universitetin “Stafordshire” në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2002, ndërsa ka doktoruar në të njejtin universitet me tezë të doktoraturës “Politika Monetare dhe kursit të këmbimit në Republikën e Maqedonisë gjatë procesit të hyrjes në Bashkimin Evropian” në vitin 2007.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani diplomoi në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup në vitin 2004. Një pjesë të specializimit e ka kryer në Mbretërinë e Bashkuar, në Londër, në periudhë prej vitit 2006 deri më 2007, ndërsa në vitin 2012 merr titullin Kirurg specialist. Në vitin 2014 filloi studimet e doktoraturës në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup ku edhe doktoroi në korrik të vitit 2018.
Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jeton Shaqiri në vitin akademik 2005/2006 regjistrohet në Fakultetin ekonomik pranë Universitetit shtetëror të Tetovës – Shkup, ku edhe diplomohet në vitin 2008-të. Në vitin akademik 2008/2009 regjistrohet në studimet pasdiplomike në Fakultetin ekonomik pranë Universitetit të Strugës, ku në vitin 2010-të, me mbrojtjen e tezës së magjistraturës arrin nivelin shkencor – Magjistër i Shkencave Ekonomike. Në vitin akademik 2010/2011 regjistrohet në studimet e doktoraturës në Universitetin e Tiranës, Republika e Shqipërisë pranë Fakultetit ekonomik dhe më datë 16.09.2016 mbron tezën e disertacionit me temë “Mbikëqyrja bankare dhe sfidat gjatë realizimit të Bazel II dhe Bazel III në Republikën e Maqedonisë”. (Analiza është kryer në bazë të udhëzimeve nga kriza financiare e viteve 2008-2009).