BDI dënon fushatën politiko-mediatike kundër BDI-së dhe Universitetit të Tetovës
Bashkimi Demokratik për Integrim me indinjatë të thellë ndjek reagimet dhe fushatën politiko-mediatike kundër Universitetit të Tetovës, si dhe pretendimet tendencioze dhe të pabazuara kundër Bashkimit Demokratik për Integrim.
BDI konsideron që arsimi publik universitar është një ndër shtyllat kryesore për të ndikuar në avancimin e proceseve të rëndësishme shoqërore.
Bashkimi Demokratik për Integrim ka vlerësuar dhe ka mbështetur lirinë akademike dhe autonominë e universiteteve për të administruar dhe menaxhuar vetë veprimtarinë e tyre dhe ka mbeshtetur lartë lirinë e pedagogëve për të shprehur bindjet e tyre.
Në këtë periudhë, në vendin tonë janë realizuar procese zgjedhore në 4 institucione publike të arsimit të lartë në përputhje me autonominë universitare.
Fushata e vazhdueshme mediatiko-politike kundër universitetit është për çdo keqardhje dhe apelojmë për ndërprerje të menjëhershme të fushatës dhe denoncim institucional të çdo shqetësimi nga cilado palë.
Ftojmë profesoratin dhe organet udhëheqëse të Universitetit të Tetovës të ndjekin dhe respektojnë me përpikmëri Ligjin për arsim sipëror, posaçërisht nenin 97, si dhe statutin e Universitetit të Tetovës në realizimin e përpiktë të procesit zgjedhor brenda institucionit dhe të mundësojnë transparencë të plotë të konkursit të datës 31 maj 2023 për zgjedhjen e Rektorit të Universitetit të Tetovës për mandatin 2023-2026.
Poashtu, ftojmë të gjithë kandidatët për rektor të paraqesin para organeve kompetente, para së gjithash para Inspektoratit Shtetëror të Arsimit dhe organeve tjera çdo parregullësi, në qofte se ekzistojnë dëshmi për ndikime të ndryshme.
BDI është e bindur që integriteti i profesorëve është i pacënueshëm dhe që secili do të jep votën e vet me bindje të lirë, në mënyrë demokratike.
Universiteti i Tetovës mban vulën e luftës për dije dhe historiku i saj duhet të jetë mision për gjeneratat e ardhshme, për çka duhet komuniteti të bëjë maksimum për ta mbrojtur.
Bashkimi Demokaratik për Integrim mbështet çdo iniciativë që vjen nga ana e institucioneve publike të arsimit të lartë për të rritur cilësinë dhe do të mbështes çdo ndryshim ligjor në të mirë të procesit edukativo-arsimor.