Lajmet e reja

Bastisjet/ Si komentuan qeveritarët?

Eksponentët e qeverisë nuk donin të japin shumë detaje rreth aksionit policor të zhvilluar në shtëpitë e ish zv.kryeministrit të parë Artan Grubi dhe ish drejtorit të Lotarisë Shtetërore Përparim Bajrami. Kryeministri tha se nuk ka detaje për aksionin për shkak se angazhimeve të shumta, shkruan Alsat.

“Më falni por nuk kam informacione sepse që nga mëngjesi jam në takime të vazhdueshme dhe nuk kam mundur t’i kontaktojë në MPB. Nga informacionet që kam ekzistojnë dyshime për krim dhe keqpërdorime në Lotarinë shtetërore dhe nga ish funksionarë të lartë qeveritar dhe që ka hetim, por për detajet pres të prononcohet Ministria e Punëve të Brendshme” , tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Zv.kryeministri i parë Izet Mexhiti thotë se nuk bëhet fjalë për hakmarrje politike. Detajet ua len institucioneve kompetente.

“Mendoj se ka lidhshmëri mes kolonave të gjata mbrëmë në Bllacë dhe aksioneve policore. E potencoj që lufta kundër korrupsionit do të jetë e pakompromist mirëpo jo revanshiste, jo monoetnike dhe jo me parada para fëmijëve dhe familjeve të tyre sepse nuk kemi nevojë të bëjmë filma por thjeshtë procedura të shkojë deri në fund”, u shpreh Izet Mexhiti, zv.kryeministër.

Mexhiti nuk komentoi as publikimet që flasin për arratisje të Grubit në prag të bastisjeve.