May 3, 2024
Maqedoni

Bastisje në Haraçinë, arrestohet shpërndarësi i kokainës

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se policia gjatë ditës së djeshme ka arrestuar 23-vjeçarin E.A. nga Haraçina e Shkupit, përcjell TV21. I njëjti sipas MPB-së dyshohet për “prodhim dhe shitje të substancave narkotike”.

“Gjatë bastisjes së kryer në shtëpinë e E.A. në Haraçinë të Shkupit, në bazë të urdhëresës së gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale e Shkupit, janë gjetur objekte në lidhje me vepra penale, ndërsa personi është arrestuar. Në koordinim me prokurorin publik kompetent nga Prokuroria e Shkupit, kundër tij gjatë ditës me procedurë të shpejtë do të parashtrohet kallëzim penal. Në mars 2019, ndaj të njëjtit person është bërë kallëzim penal për trafik të paligjshëm kokaine”, thonë nga MPB.