May 9, 2024
Sport

Basketbollisti strugan Dion Shabani shënoi 110 pikë kundër Rabotniçkit (Video)

Ndeshja mes kadetëve të Rabotniçkit dhe Crn Srim (84-130) do të shënohet përgjithmonë në historinë e basketbollit në Maqedoninë e Veriut, jo vetëm për shkak të fitores bindëse të struganëve si mysafirë, por për shkak të paraqitjes së lojtari më i mirë i ekipit mysafir, Dion Shabani.
Talenti i madh i basketbollit, Shabani, e përfundoi takimin me 110 pikë, që është më së shumti në historinë e këtij sporti në vendin tonë, sigurisht në të gjitha kategoritë e moshave, transmeton Lideri.mk. Për ta bërë mrekullinë më të madhe, ai arriti këtë shifër të pabesueshme pa bërë asnjë trepikësh, që është një mrekulli e vërtetë në basketbollin modern.

Siç transmeton portali lideri.mk, Shabani realizoi 12 gjuajtje të lira, që do të thotë se 98 pikët e mbetura i realizoi duke e gjuajtur topin në rreth 49 herë. Ky është një numër i jashtëzakonshëm i përpjekjeve të suksesshme, të tilla që vështirë se dikush mund ta bëjë në stërvitje, e lëre më në një takim kampionati kundër ekipit më të trofeshëm të basketbollit maqedonas.

Kjo nuk është mrekullia e parë e tillë për talentin e madh të Drinit të Zi, pasi ai shënoi 88 pikë në fitoren e ekipit të tij ndaj ekipit Feniks tetorin e kaluar. Kësaj radhe ka tejkaluar veten dhe edhe një herë ka konfirmuar se është një perlë e vërtetë sportive nga liqeni i Ohrit që shfaqet ndoshta një herë në disa dekada./Lideri