Maqedoni

Banorët e Likovës të gjitha shërbimet i kryejnë në Kumanovë, por s’kanë transport publik

Komuna e Likovës me mbi 30.000 banorë nuk ka transport publik komunal as përbrenda saj dhe as linja ndërkomunale me qytetin e Kumanovës. Nevoja është e domosdoshme sepse qytetarët e Komunës së Likovës, numrin më të madh të shërbimeve i kryejnë në Kumanovë. Kryetarët e dy komunave shprehen se kanë interes të hapin linja mes këtyre dy komunave, por nuk saktësojnë se kur kjo gjë mund të ndodh, shkruan Portalb.mk.

Banorët e Komunës së Likovës numrin më të madh të shërbimeve të përditshme e kryejnë në Komunën e Kumanovës, duke filluar nga arsimimi, shëndetësia, administrata, regjistrimi veturave, pagesat e ndryshme nëpër banka e kështu me radhë. Megjithatë, pavarësisht kësaj, ata nuk kanë transport publik dhe obligohen që për nevojat e tyre të përditshme në Kumanovë të udhëtojnë me automjete private apo taksi dhe kjo është e kushtueshme nga aspekti financiar.

“Unë jam i punësuar në Kumanovë, dhe më duhet të udhëtoj çdo ditë, herë me veturën time personale e herë me taksi, gjë për të cilën kam shpenzime të larta” thotë Ismet Aliji, banor i Komunës së Likovës.

Xhevaire Shabani, gjithashtu nga Komuna e Likovës, thotë se transport publik kanë kërkuar shumë herë, përmes iniciativave qytetare, mirëpo ka rezultuar e pa suksesshme.

“Mungesa e transportit publik nga komuna jonë për në qytetin e Kumanovës, ka shkaktuar pengesa të shumta për neve si studentë, duke pësuar me vonesa të shumta, gjatë dimrit me pritje të gjata nëpër taksi që funksionojnë brenda fshatit, shpenzimet sigurisht kanë qenë të larta. Shumë më mirë do të ishte sikur të dinim kohën e caktuar dhe të kryejmë shërbimet tona pa u vonuar”, deklaroi Shabani.

Portalb.mk, kontaktoi me të dy kryetarët e komunave për të diskutuar në lidhje me atë se çfarë është problemi që këta dy komuna nuk janë të lidhura me transport publik.

Kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski thotë se nuk është nën kompetencat e tyre që të sigurojnë linja ndërkomunale, për dallim prej linjave të transportit publik brenda komunës që janë nën juridiksionin e vetë komunës, ndërsa shpreh interes për bashkëpunim kryetari kësaj komune.

“Sa i përket organizimit të linjave ndërkomunale të transportit publik, sipas ligjit kjo është në kompetencë të ministrisë përkatëse. Komuna e Kumanovës ka interes dhe iniciativë për bashkëpunim dhe futjen e linjave ndërkomunale të transportit me komunat tjera“, deklaroi Dimitrievski, për Portalb.mk.

Erkan Arifi, kryetar i Komunës së Likovës thotë që çështjen e transportit publik dhe krijimin e linjave ndërkomunale e kanë diskutuar me kryetarin e Komunës së Kumanovës dhe ka vullnet të dyanshëm, dhe janë duke bërë analizim të detajuar për sa i përket pozitave të fshatrave dhe numrit të linjave që duhet të krijohen.

“Jemi duke analizuar se sa linja duhet lëshuar që të përfshihen të gjithë fshatrat e Komunës së Likovës, kemi shprehur ne si komunë vullnet dhe kjo çështje veçse është ngritur, para përpilimit të buxhetit në takime me bashkësitë lokale të fshatrave e kemi diskutuar, dhe kemi kuptuar që nevoja është e madhe, e që së shpejti pas përfundimit të analizave do të ngrisim iniciativën për realizimin e lëshimit të linjave ndërkomunale”, deklaroi Arifi për Portalb.mk.

Xhezmi Musliu, përgjegjës i sektorit për Urbanizëm në Komunën e Likovës tha që aktualisht Komuna e Likovës nuk ka transport publik të organizuar që e lidhë me qytetin e Kumanovës për shkak se është çështje procedurale, që duhet të kalojë në dy këshillat komunal si marrëveshje bashkëpunimi, të miratohet e pastaj të kalojë në filtrat tjerë.

“Kemi pasur kontakte me zonjën Lidija udhëheqëse e sektorit të urbanizmit në Kumanovë pikërisht për këtë çështje, por ishte koha e zgjedhjeve dhe u prolongua kjo çështje”, tha Musliu.

Lëshimi i një linje ndërkomunale mes Komunës së Likovës dhe asaj të Kumanovës, do të kishte kontribuar edhe në ruajtjen e cilësisë së ajrit, sepse në mënyrë direkte ndikon në zvogëlimin e numrit të përdorimit të veturave personale nga qytetarët e kësaj komune.

Paraprakisht shkruajtëm se edhe Komuna e Kumanovës, qytet me mbi 100.000 banorë, e filloi vitin 2022 pa transport publik, pasi që kompanive transportuese u kanë skaduar licencat për transport komunal. Qytetarët ankohen se po dëmtohen financiarisht pasi në vend që të udhëtojnë me autobus, detyrohen të udhëtojnë me automjete personale ose me taksi që u kushton shumëfish më shtrenjtë. Komuna e Kumanovës ka gjithsej 25 linja të autobusëve, ata transportojnë brenda qytetit dhe disa prej fshatrave përreth.