May 2, 2024
Lajmet e reja

Banorët e Kumanovës dhe Likovës me lot në sy flasin për rininë që po ik çdo ditë nga vendlindja (Video)

Dyer të mbyllura e dritare me grila. Kështu duken shumë shtëpi të Komunës së Likovës të cilat dëshmojnë se brenda tyre nuk jeton njeri, shkruan Alsat.

E gjithë kjo si rezultat i shpërnguljes së të rinjve dhe familjeve të tëra drejt shteteve të Bashkimit Evropian. Ata që kanë mbetur, e shumë prej tyre të moshës së shtyrë ose të mesme thonë se fshatrat e kësaj pjese gjallërohen vetëm gjatë pushimeve verore dhe dimërore. Këtë e dëshmon edhe Azemin Arifi nga fshati Sllupçan që tashmë jashtë vendit ka tre fëmijët e tij.

“Çdo ditë, çdo javë e çdo muaj shihet se po pakësohet rinia në këtë komunë. Në fshat kemi njerëz që kanë mbetur vetëm burrë e grua, ose vetëm burrë e hallet e tyre janë për t’i qarë. Por, nëse sot janë në komshi nesër edhe në shtëpi do të na vijnë. Mungojnë fëmijët ,mungojnë nipat. Kur janë këtu gjallërohet shtëpia, gjallërohet oborri, gjallërohet gjithçka. Kur shkojnë e ndjen veten shumë keq, zhduket me ka krejt gjallërimi i shtëpisë. Çdo ditë jemi në kontakt me telefon por sërish ajo zbrazëtira ndihet brenda”, tha Azemin Arifi, banor i fsh. Sllupçan.

Ngjashëm ishte edhe në fshatin Likovë. Të rinjtë nuk shiheshin askund. Banorët që takuam e që folën për Alsat mbajnë mend një Likovë krejt ndryshe.

“Më herët kemi jetuar më mirë, tash jo. Kur dal në rrugë filloj dhe qaj se asnjë i ri nuk ec. Unë këtu kam punuar 60 vjet, zdrukthëtar jam, këtu e kam çuar jetën. Nuk ka punë si më parë, më pak ka”, u shpreh Nejazi Jonuzi, banor i fshatit Likovë.

“Mundem me ju garantu se 350 të rinj nga fshati Likovë janë larguar..edhe pritet akoma me dal, ajo është më e keqja. Tre vajzat i kam në kurbet, që të treja me fakultet, djalin e kam këtu. Si është ajo ndjenja kur vijnë e kur largohen?……. deklaroi Hajrulla Halili, banor i fshatit Likovës.

“Punësime ndoshta ka diku, mundesh me gjet privat ama të ardhura nuk ka Mjaftueshëm. Me at rrogë 200-300 euro nuk mundesh me mbijetu, me siguru gjendjen e familjes. Me ec nëpër familjen tonë, nëse janë 20 shtëpi, 10 janë të mbyllura” – tha Xhevdet Jonuzi, banor i fshatit Likovë.

Xhevdet Rrahmani, koordinator i shkollave fillor të kësaj komune tha se në periudhën 2018-2021, në shkolla janë bërë mbi 100 kërkesa për shpërngulje të fëmijëve.

“Në vitin shkollor 2021-22, numri I nxënësve në fillim ishte 2.700 nxënës në nivel të komunës. Mirëpo, gjatë këtij gjysëmvjetori, prej fillimit flet shpërngulje kanë marrë 28 nxënës. Ky numër, këto e vitit e fundit ne e shohim edhe nga klasat e para. Numri i nxënësve nuk është shumë në rënie mirëpo në të ardhmen kjo mund të ndikojë se shumë të rinj nuk janë të martuar edhe aty do të kemi ndoshta edhe numër më të vogël”, deklaroi Xhevdet Rramani, koordinator i shkollave fillore.

Sipas Rramanit, përveç nxënësve edhe disa mësimdhënës të arsimit fillor tashmë kanë paralajmëruar largimin e tyre nga puna për të emigruar. / alsat.mk